“Çastet e vështira nuk janë dënime; ato hapin rrugë të reja.”
— Ramiro López Larroy
Praktikuesi argjentinas i budizmit dhe financieri Ramiro López Larroy, në librin e tij më të ri Ten Ways to Awaken (Dhjetë mënyra për t’u zgjuar), shqyrton se si meditimi mund të ndikojë në cilësinë e jetës sonë dhe në marrëdhënien që ndërtojmë me botën. Në këtë fragment nga libri, Larroy trajton mënyrën se si mund t’i shfrytëzojmë vështirësitë e jetës për të mësuar dhe për t’u rritur, në vend që t’u shmangemi ose të përpiqemi t’i largojmë ato.
Vuajtja si mundësi për rritje
Sipas tij, vuajtja mund të shndërrohet në një portë drejt një mundësie të re, nëse zgjedhim ta përballim dhe të nxjerrim prej saj mësime të vlefshme për kushtëzimet, zakonet dhe modelet tona të sjelljes.
Çastet e vështira nuk janë dënime; ato hapin rrugë të reja. Buda na nxiste të mos i shpërdoronim këto çaste, sepse pikërisht duke i përjetuar mësojmë të kuptojmë kushtëzimet tona. Sa më shumë të dhemb, aq më fort bie zilja që na thërret të shohim brenda vetes.
Në rastin tim, burimi më i madh i vuajtjes ka qenë gjithmonë ndjesia se nuk jam i dashur, se nuk më shohin dhe nuk më kuptojnë vërtet. Nuk e di nëse kjo ka ndodhur sepse, kur isha fëmijë, më mungonin përqafimet; në këtë pikë, kjo nuk ka më shumë rëndësi. Ajo që ka rëndësi është të kuptoj se dëshira e zjarrtë për t’u dashur ka qenë një kushtëzim i fuqishëm tek unë.
Shpesh, kjo më ka shtyrë të kërkoj miratim aty ku nuk ishte i nevojshëm, të jap më shumë seç duhej, madje edhe në situata që sot i kujtoj me dhembshuri për mungesën e vetëdijes që kisha atëherë. Ndjesia se nuk isha i mjaftueshëm më mjegullonte mendjen, më bënte të shqetësuar dhe më shtynte të veproja pa qartësi.
Për vite me radhë, jetova pa e kuptuar rrëmujën që krijonte kjo zbrazëti brenda meje. Dhimbja e të mos ndierit i dashur më çonte në situata ku e harroja plotësisht veten, duke besuar se, nëse do të jepja gjithçka që kisha, më në fund do të më zgjidhnin ose do të më donin. Shpesh, lumturinë time ua besoja njerëzve të tjerë. Dhe pak gjëra krijojnë më shumë kaos të brendshëm sesa të mos ndihesh i parë nga ata që beson se duhet të të shohin.
Dhënia nga mungesa dhe dhënia nga plotësia
Shpesh mendojmë se jemi bujarë, se japim sepse jemi njerëz të mirë ose sepse duam të kujdesemi për të tjerët. Por, nëse e shohim më nga afër, zbulojmë se kjo dhënie nuk buron gjithmonë nga përmbushja e brendshme, por nga mungesa. Ne nuk japim aq shumë nga bollëku i brendshëm, sa nga shpresa se do të na vërejnë dhe do të na vlerësojnë.
Dhe kjo mënyrë e kushtëzuar e të dhënit shndërrohet në një kurth. Kur nuk marrim atë që prisnim, shfaqet zhgënjimi, së bashku me ndjesinë se jemi shpërfillur, madje edhe zemërimi ndaj njerëzve që, në të vërtetë, nuk na kishin kërkuar kurrë të jepnim aq shumë.
Pikërisht këtu zbulohet diçka thelbësore për praktikën shpirtërore: dallimi mes të vepruarit nga dëshira e paplotësuar dhe të vepruarit nga plotësia e brendshme.
Kur veprojmë nga mungesa, japim me shpresën se do të na shohin ose do të na duan. Kur veprojmë nga plotësia, japim sepse tashmë ndihemi të përmbushur dhe gjesti ynë buron natyrshëm nga kjo gjendje e brendshme. Në rastin e parë, humbasim veten në vështrimin e të tjerëve dhe përfundojmë të zbrazët nga brenda. Në të dytin, forcohemi dhe zbulojmë një liri të papritur: të mos varemi nga miratimi i të tjerëve për të ndier se kemi vlerë.
Në të njëjtën kohë, kur më në fund arrita ta shihja veten pak më qartë, kuptova se kjo dhimbje ishte edhe një forcë shtytëse. Pikërisht ajo ma bëri të mundur të shkruaj sot këtë libër. Më tregoi se duhej të ndryshoja, se duhej të përmirësohesha, se duhej të praktikoja. Më detyroi të shikoja brenda vetes dhe të zbuloja se rrënja e lumturisë nuk mund të varej nga askush tjetër, por nga mënyra se si zgjidhja të lidhesha me jetën time.
Kjo vuajtje, sado e rëndë që ishte, përfundimisht u shndërrua në një derë. Ajo ishte mësuesja më këmbëngulëse, por edhe ajo që më shtyu të rritesha më shumë./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










