Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Teknologji

94% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut përdorin internetin, 82% disa herë në ditë

94% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut përdorin internetin, 82% disa herë në ditë

Interneti tashmë është kthyer në një element të rëndësishëm të jetës së përditshme, çka dëshmohet nga numri gjithnjë në rritje i përdoruesve.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikës, në Maqedoninë e Veriut rreth 94 për qind e popullsisë nga 15 deri në 74 vjeç e kanë përdorur internetin, ndërsa afërsisht 82 për qind e kanë shfrytëzuar atë disa herë gjatë ditës.

Qytetarët dhe përdorimi i përditshëm i internetit

Qytetarët e intervistuar nga Alsat janë të vetëdijshëm se përdorimi nuk duhet të jetë i tepruar, por theksojnë se interneti është bërë pjesë e pandashme e jetës së tyre.

“Sigurisht që e përdor, por jo shumë… – A keni fëmijë në shtëpi që e përdorin? – Po, e përdorin… Absolutisht është e tepruar, fëmijët janë shkatërruar dhe mendoj se kjo që po ndodh është shumë e dëmshme, është katastrofë. Fëmijët nuk dinë më të bisedojnë, vetëm shohin internet dhe ai është kënaqësia kryesore”, deklaroi një qytetare.

“E përdor, por jo shumë; sinqerisht nuk e përdor shumë, kryesisht më pëlqen të eci në këmbë sesa të rri në shtëpi dhe të përdor internetin. Këtë do t’ua rekomandoja edhe të rinjve, sepse për shkak të tij njerëzit nuk shoqërohen mes vete, thjesht largohen, pasi qëndrojnë shumë në internet”, u shpreh një qytetar.

“E përdorim në shtëpi, unë dhe shoqja. Sigurisht, sepse kalojmë shumë kohë aty; kemi gjëra më të mira për ta kaluar kohën sesa të qëndrojmë gjatë në internet”, tha një qytetar.

“Normalisht sipas nevojës… – Në familjen tuaj a ka fëmijë që e përdorin? – Jo. – Sipas statistikave gati 90 për qind e përdorin. – Po, përderisa nuk u kushtohet shumë rëndësi fëmijëve”, tha një tjetër qytetare.

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave për tremujorin e parë të këtij viti tregojnë se 91 për qind e amvisërive në nivel shtetëror kanë qasje në internet. Sipas këtyre të dhënave, rreth 94 për qind e popullsisë së vendit e përdorin internetin për të telefonuar, ndërsa rreth 89 për qind shkëmbejnë mesazhe përmes aplikacioneve me internet./Alsat.mk

Burimi: pressonline.al

Të fundit Të gjitha