Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Teknologji

Shqipëria renditet ndër të fundit në BE për doktoratura në shkencë dhe teknologji

Shqipëria renditet ndër të fundit në BE për doktoratura në shkencë dhe teknologji

Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Europë për sa i përket numrit të të diplomuarve me doktoratë në fushat e shkencës, matematikës, informatikës, inxhinierisë, prodhimit dhe ndërtimit, në raport me popullsinë e re.

Të dhënat e Eurostat për Shqipërinë

Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë vitit 2023 Shqipëria kishte 0 të diplomuar me doktoratë për çdo 1 mijë banorë të moshës 25–34 vjeç, krahasuar me 0.9 doktorata për 1 mijë banorë në Bashkimin Europian. Edhe në vitet para 2023, numri i diplomave të doktoratës në shkenca në vendin tonë ka qenë në nivele shumë të ulëta.

Diferenca vihet re qartë edhe kur krahasohemi me vendet e rajonit. Në vitin 2023, Serbia kishte 0.5 të diplomuar me doktoratë për 1 mijë banorë të moshës 25–34 vjeç, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kishin nga 0.1 për 1 mijë banorë.

Në disa nga ekonomitë më të zhvilluara europiane treguesi ishte dukshëm më i lartë. Zvicra kryesonte me 1.9 doktorantë të diplomuar për 1 mijë banorë të moshës 25–34 vjeç, ndërsa Franca dhe Luksemburgu kishin nga 1.3. Gjermania dhe Suedia regjistronin nga 1.1 për 1 mijë banorë.

Treguesi i Eurostat përfshin doktoratat në një grup fushash që konsiderohen të lidhura drejtpërdrejt me kapacitetet shkencore dhe teknologjike të një ekonomie: shkencat, matematika, informatika, inxhinieria, prodhimi dhe ndërtimi.

Situata sipas gjinisë

Të dhënat sipas gjinisë tregojnë se situata në Shqipëri ka mbetur në nivele minimale gjatë viteve të fundit. Për meshkujt, treguesi ishte 0 për 1 mijë banorë në vitin 2021, u rrit në 0.1 në vitin 2022, ndërsa në vitin 2023 u kthye sërish në 0. Për femrat, treguesi ishte 0.1 në vitin 2021 dhe 2022, ndërsa në vitin 2023 ishte 0.

Në Bashkimin Europian diferenca mes meshkujve dhe femrave është ende e dukshme. Në vitin 2023, numri i meshkujve të diplomuar me doktoratë në këto fusha ishte 1.1 për 1 mijë banorë të moshës 25–34 vjeç, ndërsa për femrat ishte 0.7 për 1 mijë.

Për vitin 2024, mesatarja e BE-së u rrit në 1.1 për 1 mijë te meshkujt dhe 0.8 te femrat. Për Shqipërinë, Eurostat nuk paraqet të dhëna për vitin 2024 në tabelën e publikuar.

Këto të dhëna janë pjesë e statistikave të Eurostat për të diplomuarit në nivel doktorate dhe maten si numër të diplomuarish për çdo 1 mijë banorë të grup-moshës 25–34 vjeç.

Të dhënat për doktorantët në shkenca shihen si një faktor kyç për t’u sjellë vendeve transformimet teknologjike dhe industriale.

Burimi: www.cna.al

Të fundit Të gjitha