Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, deklaroi se përvoja e Malit të Zi dhe Shqipërisë ka treguar që, kur reformat zbatohen si duhet, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian mund të japë rezultate konkrete.
“Mali i Zi dhe Shqipëria kanë dëshmuar se, me zbatimin e reformave, rruga drejt BE-së mund të sjellë përfitime të dukshme. Italia do të marrë presidencën e Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2028. Ai do të ishte një moment shumë i përshtatshëm për të festuar pranimin e anëtarëve të rinj në familjen evropiane”, theksoi ai.
Tajani shtoi se Italia e shikon ribashkimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në si një prioritet kryesor.
Angazhimi i Italisë për Ballkanin Perëndimor
“Duhet të përkushtohemi plotësisht për ribashkimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në. Kemi nevojë t’i dërgojmë një mesazh të qartë Rusisë dhe vendeve të tjera, sepse ju jeni pjesë e Evropës. Duhet të mbrojmë besueshmërinë, parashikueshmërinë dhe cilësinë e procesit të zgjerimit, duke garantuar një qasje pranimi të bazuar në merita dhe duke shmangur çdo formë anëtarësimi ‘të dorës së dytë’”, u shpreh ai.
Sipas Tajanit, në klimën aktuale politike dhe ndërkombëtare është e nevojshme të bëhet më shumë.
“Italia është e gatshme të kontribuojë në këtë rajon. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerë thelbësorë për promovimin e sigurisë ekonomike, përmirësimin e lidhjeve, forcimin e zinxhirëve të furnizimit dhe sigurinë ushqimore. Mendoj se është e domosdoshme t’i kushtohet vëmendje e plotë zhvillimit të Korridorit 8 dhe Korridorit 10, pasi ato janë thelbësore për integrimin e një pjese më të gjerë të Evropës me Ballkanin Perëndimor”, nënvizoi ai.
Qeveria e kryesuar nga Giorgia Meloni ka qenë dhe vazhdon të jetë ndër mbështetëset më të rëndësishme të integrimit të shteteve ballkanike në BE.
Burimi: www.gazetatema.net










