Kombëtarja shqiptare U-15 ka shënuar fitoren e dytë radhazi në FIFA U-15 World Cup & Festival 2026, që po mbahet në Azerbajxhan. Ekipi kuqezi i drejtuar nga trajneri Armand Dama fitoi me rezultatin 4-1 kundër Mauritanisë, duke vazhduar me paraqitje pozitive në këtë turne ndërkombëtar.
Shqipëria U-15 dhe fitorja ndaj Mauritanisë
Shqipëria e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e parë me Matias Mehmetin. Në minutën e 6-të, Romeo Hazizaj shënoi golin e dytë për kuqezinjtë, ndërsa në minutën e 15-të Santiago Perkola thelloi avantazhin në 3-0.
Mauritania reagoi një minutë më vonë, me Amar Ramdhane që ngushtoi diferencën në 3-1. Megjithatë, Shqipëria vijoi të kërkonte golin dhe në minutën e 34-t Shofiti realizoi, duke vulosur fitoren 4-1 të skuadrës kuqezi.
Pas suksesit 6-2 ndaj Ishujve Turks dhe Kaikos në ndeshjen e parë, Shqipëria U-15 regjistron kështu dy fitore në po aq takime në FIFA U-15 World Cup & Festival 2026.
Ndeshja e radhës dhe kalendari i Shqipërisë U-15
Kuqezinjtë do të rikthehen në fushë po sot për ndeshjen e radhës ndaj Ruandës, në orën 18:15, në vijim të aventurës së tyre në këtë aktivitet të organizuar nga FIFA.
Kalendari i ndeshjeve të Shqipërisë U-15:
Shqipëri 6-2 Ishujt Turks dhe Kaikos
Shqipëri 4-1 Mauritani
Shqipëri – Ruandë, 25 tetor, ora 18:15
Vanuatu – Shqipëri, 26 tetor, ora 10:15
Bregu i Fildishtë – Shqipëri, 26 tetor, ora 17:00
Burimi: telesport.al










