Shik dhe ekstravagante janë fjalët kyçe të modës në dimrin e 2026-s dhe 2027-s. Nga pasarelat e New York-ut, Londrës, Milanos dhe Parisit, që janë laboratorë të vërtetë për fashion editor, tendencat flasin qartë: elegancë e vetëdijshme, garderobë solide, me elemente të së shkuarës, por edhe kontraste të forta dhe interpretime të paparashikueshme. Kjo stinë kryefjalë ka guximin, duke e bërë luksin realitet, që pasurohet dhe shkëlqen me elemente të personalizuara.
Esenca borgjeze dhe kthimi i elegancës klasike
Rikthehet në qendër të veshjeve esencialja borgjeze, e pasuruar me detaje që e shpërbëjnë plotësisht look-un perfekt, duke shpalosur sensualitetin tipik të stilit. Xhaketa, “tweed”, pallto, peliçe për shpatullat, funde të drejta të gjata, veshje të plota e të bollshme, kuadrate, lule, transparenca me tantella e tyl, këmisha voluminoze, e mbi të gjitha ngjyra e dramatizim të pamjes së plotë. Një homazh i elegancës së dekadave të kaluara dhe bolerove femërore, që ishin status më vete. Dhe risjell në vëmendje modën e viteve ’50, me theksin te klasikja që nuk perëndon kurrë, por ripërtërihet.
Kërkimi tek e kaluara dhe frymëzimi nga rrymat e dekadave mbetet pikë referimi për frymëzimet aktuale, ku marrin jehonë edhe ngjyrat e forta, aksesorët e zhurmshëm të viteve ’80, për një pamje bold. Nuk lihet pas edhe stili i viteve ’90, me prerjet e ftohta të ridimensionuara, të pasuruara me stilet e tjera, duke i dhënë jetë një messy girl, pra e çrregullt, me qëllim e papërsosur, gati-gati si pa dëshirë në detaje, por e fuqishme në rebelimin estetik.
Look fleksibël dhe kombinime pa rregulla
Ideja e madhe është krijimi i një look-u fleksibël, perfekt për çdo stinë e çdo rast, të përshtatshëm e mbi të gjitha të bukur. Kombinimet gjithashtu nuk i përmbahen asnjë strukture të vendosur, por vendosin bashkë linjat gjeometrike me lulet romantike, duke sjellë veshje plot karakter.
Pëlhurat, ngjyrat dhe festat
Pëlhurat janë femërore, tejet femërore, për funde e fustane, me kremra të lehtë e të derdhur, që valëzojnë në çdo lëvizje të siluetës, tafta të ndritshme, brokadë staturore, kadife zero plot ngjyra e fantazi të arta, paillette e xixa, e aksesorë madhështorë e verbues. Për festat look-u është plot dritë e ngjyrë, përshtatje ngjyrash sipas natyrës, duke e sjellë në çdo detaj.
Por edhe fustane klasike, shik, të pastra, neutrale, të buta, me tantella franceze të holla e delikate, për të vënë në pah edhe më shumë feminilitetin, që ngrihet në piedestal.
Por edhe transgresive e sensuale, e fortë dhe e dukshme, pa kaluar në asnjë moment në banalitet apo në tepricë, por “sexy chic”.
Për stinën e festave, feminiliteti bëhet stoli, ku veshja transmeton personalitetin, dritën, gëzimin, edhe me kombinime të pamenduara stilesh, ngjyrash, epokash.
Këpucët dhe çantat e stinës
Gjithashtu edhe këpucët e çantat janë një must i stinës dhe do të na shoqërojnë për gjithë vitin 2027. Origjinaliteti mbizotëron, me modele të veçanta, duke nisur nga takat e holla gjilpërë e tek ato më casual chic, me ngjyra e elemente të forta. Ndërsa çantat, bien në sy ato vintage, klasiket e bukura që dikur mbanin gjyshet në rininë e tyre, si karamele, të thjeshta në formë, plot charm, për të plotësuar një pamje që do të transmetojë class e stil. KultPlus.com
Burimi: kultplus.com









