Shkrimtari britanik M. John Harrison është shpallur fitues i çmimit prestigjioz Booker për vitin 2026, me romanin e tij postapokaliptik “The End of Everything”, duke u bërë autori më i moshuar që ka marrë ndonjëherë këtë vlerësim letrar. Në moshën 81-vjeçare, Harrison u shpërblye me çmimin prej 50 mijë paundësh në ceremoninë e mbajtur të hënën në Londër.
I njohur për krijimtarinë e tij gjashtëdekadëshe dhe për qasjen që sfidon kufijtë tradicionalë të zhanreve letrare, Harrison ka ndërtuar një profil të veçantë në letërsinë bashkëkohore. Romani fitues trajton një botë pas një katastrofe misterioze, e cila ka shkaktuar shembjen e shoqërisë britanike ashtu siç njihet sot.
Një botë pas katastrofës
Ngjarja përqendrohet te një burrë dhe tezja e tij, të cilët përpiqen të vazhdojnë jetën në bregdetin juglindor të Anglisë, pas një fatkeqësie të pashpjeguar dhe shfaqjes së qenieve misterioze jashtëtokësore. Në vend që t’u japë lexuesve shpjegime të hollësishme për atë që ka ndodhur, autori zgjedh të ruajë paqartësinë dhe çorientimin, duke i bërë ata të përjetojnë të njëjtin konfuzion si personazhet.
Kjo qasje e ka ndarë kritikën dhe lexuesit, me disa që e kanë cilësuar romanin si një vepër të zymtë, por brilante, ndërsa të tjerë e kanë përshkruar si një përvojë ëndërrimtare dhe të vështirë për t’u interpretuar. Megjithatë, kryesuesja e jurisë së Booker Prize, Mary Beard, e mbrojti kompleksitetin e veprës, duke theksuar se letërsia më e mirë nuk duhet të jetë gjithmonë e lehtë për t’u lexuar.

“Është një lexim sfidues, por disa nga veprat më të mira të letërsisë janë sfiduese”, deklaroi Beard. Ajo shtoi se romani të trondit, të nxit një buzëqeshje ironike dhe, pavarësisht tematikës së tij, lë një ndjenjë të papritur optimizmi.
Kritika ndaj shoqërisë bashkëkohore
Harrison ka treguar se përmes këtij romani ka synuar të kritikojë vërshimin e vazhdueshëm të informacionit në shoqërinë bashkëkohore dhe vështirësinë e njerëzve për ta kuptuar e analizuar atë në mënyrë kritike. Sipas tij, katastrofa në libër nuk lidhet vetëm me shkatërrimin e një bote, por edhe me dështimin e njerëzve për ta kuptuar atë që po ndodh përreth tyre.
“Është një histori katastrofe, në të cilën katastrofa është dështimi për të kuptuar”, është shprehur shkrimtari.
Drejtuesja ekzekutive e Booker Prize, Gaby Wood, e përshkroi Harrisonin si një mendimtar vërtet origjinal dhe autor që nuk kufizohet nga ndarjet tradicionale të zhanreve. Ajo theksoi se “The End of Everything” është një roman realist për një botë të pazakontë, të populluar nga personazhe të dëshpëruara dhe të çorientuara.
Karriera e një autori të veçantë
Gjatë karrierës së tij, Harrison ka botuar 13 romane, pesë përmbledhje me tregime të shkurtra dhe një vepër që ai e ka cilësuar si kundërbiografi. Ndonëse shpesh është lidhur me letërsinë fantastiko-shkencore, shkrimtari ka shmangur etiketimet e ngushta, duke zhvilluar një krijimtari që ndërthur elemente të fantashkencës me reflektime filozofike dhe shoqërore.
Me këtë fitore, Harrison tejkalon shkrimtaren Margaret Atwood, duke u bërë fituesi më i moshuar në historinë e çmimit Booker.
Çmimi dhe listat e ngushta
Çmimi Booker, i themeluar në vitin 1969, vlerëson romanin më të mirë të shkruar në gjuhën angleze dhe të botuar gjatë periudhës përkatëse të konkurrimit. Në listën e ngushtë të këtij viti ishin gjithashtu Marlon James me “The Disappearers”, Luke Kennard me “Black Bag”, Rebecca Perry me “May We Feed the King”, Elizabeth Strout me “The Things We Never Say” dhe Douglas Stuart me “John of John”./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










