Dashuria, sado e shkurtër të jetë, mbetet koha më e bukur e jetës së njeriut. Por çdo gjë në jetë kalon, edhe dashuria e lumtur. Kudo që shfaqet, ajo nuk është e përhershme, sepse njeriu nuk është i përsosur në thelbin e tij. Devijimet, zhgënjimet, shqetësimet e ndryshme dhe vetë koha e venitin dashurinë.
Shkruan: Jeronim De Rada
Dashuria që largohet dhe shpirti që mbetet
Megjithatë, edhe kur dashuria largohet, ajo vazhdon të jetë burim për një jetë shpirtërore më të lartë. Ndoshta sepse te të dashurit mbetet dëshira për një botë më të mirë, ose sepse ata pendohen që nuk patën forcën e brendshme të nevojshme për ta mbajtur gjallë dashurinë. Ata e shohin dashurinë si një parajsë, nga e cila çifti dëbohet kur humb pafajësinë.
Kështu, dashuritë e larta, edhe kur shuhen, gjithmonë i bëjnë shpirtrat më të mëdhenj. Martesa, e krijuar për ta veçuar dashurinë dhe për ta mbrojtur nga bota e jashtme që e lufton aq fort, mbetet i vetmi liman ku ujërat janë më të qeta. Në këtë liman, afekti që po venitej ringjallet nga kujtimet e dikurshme, kur shpirtrat janë bujarë. Edhe nëse kujtimet nuk janë më aq të bukura sa dikur, ato janë të përshkuara nga respekti dhe të përgatitura për perëndimin që u afrohet nën hijen e tyre.
Roli i prindërve
Për prindërit është një detyrë e nderuar të kujdesen, krahas detyrave të tjera, edhe për formimin e trupit dhe shpirtit të bijve dhe bijave të tyre. Kështu, ata nuk do të krijojnë më pas zhgënjime në dashurinë e njeri-tjetrit, që e kanë martesën e tyre si vend pushimi, si kur qëndrojnë mbi fronin e botës, të mbrojtur në strehën më të natyrshme të tyre./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










