29 Nëntori i vitit 1944 shënoi përfundimin e pushtimit nazist në Shqipëri dhe fundin e më shumë se pesë viteve të luftës dhe rezistencës antifashiste.
Çlirimi i vendit më 29 nëntor lidhet me largimin e forcave të fundit gjermane nga Shkodra, qyteti i fundit i mbajtur prej tyre në Shqipëri.
Rruga drejt çlirimit
Rruga drejt çlirimit ishte e gjatë dhe e vështirë. Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste më 7 prill 1939, ndërsa pas kapitullimit të Italisë në shtator 1943, vendi u pushtua nga Gjermania naziste. Gjatë kësaj periudhe, rezistenca antifashiste u zgjerua në zona të ndryshme të vendit, duke u shoqëruar me përballje të armatosura.
Lëvizja Nacionalçlirimtare u organizua dhe u zhvillua në kontekstin e gjerë të Luftës së Dytë Botërore, ku Shqipëria ishte pjesë e rezistencës kundër fuqive të Boshtit, Romë-Berlin-Tokio. Një moment i rëndësishëm i organizimit të rezistencës ishte Konferenca e Pezës, e mbajtur më 16 shtator 1942, ku u diskutua bashkimi i forcave antifashiste në luftën kundër pushtuesve.
Më 10 korrik 1943 u krijua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke shënuar një etapë të rëndësishme në organizimin ushtarak të rezistencës shqiptare.
Gjatë viteve 1943–1944, luftimet u intensifikuan në disa zona të vendit, ndërsa forcat partizane zhvilluan operacione për çlirimin e qyteteve dhe territoreve të pushtuara. Shqipëria ishte gjithashtu pjesë e Koalicionit të Madh Antifashist Botëror, ku vepronin edhe misione ushtarake aleate.
Çlirimi i Tiranës dhe Shkodrës
Një nga betejat më të rëndësishme të fazës përfundimtare të luftës ishte ajo për çlirimin e Tiranës. Luftimet nisën në fund të tetorit 1944 dhe kulmuan në nëntor, duke përfunduar më 17 nëntor me largimin e forcave gjermane nga kryeqyteti.
Më 28 nëntor 1944, në Tiranë parakaluan partizanët dhe kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Ndërkohë, Shkodra mbetej qyteti i fundit nën kontrollin gjerman. Pas luftimeve të ashpra të zhvilluara në rrethinat e saj, trupat gjermane u tërhoqën gjatë natës së 28–29 nëntorit. Në mëngjesin e 29 nëntorit 1944, forcat partizane hynë në qytet, duke shënuar përfundimin e pushtimit gjerman në Shqipëri.
Data 29 Nëntor 1944 u vendos si Dita e Çlirimit dhe u përfshi në kalendarin e festave kombëtare pas përfundimit të luftës.
Kujtesa sot
Sot, 29 Nëntori përkujtohet në Shqipëri në nderim të të gjithë atyre që kontribuuan në luftën kundër pushtimit nazifashist. Ceremonitë përkujtimore, homazhet në varrezat e dëshmorëve dhe aktivitetet historike e kulturore mbajnë gjallë kujtesën e një prej periudhave më të vështira të historisë së vendit./atsh/KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










