Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Pjesëmarrja në Spanjë thyen rekordin e 1996-ës

Pjesëmarrja në Spanjë thyen rekordin e 1996-ës
Foto: shqiptarja.com

Spanja drejt mbylljes së votimeve, pjesëmarrja thyen rekordin e vitit 1996

Spanja po shënon pjesëmarrje rekord në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të kësaj të diele. Deri në orën 18:00 kanë votuar 68,1% e zgjedhësve, ose mbi 24,2 milionë qytetarë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme.

Pjesëmarrja është 15 pikë përqindjeje më e lartë se në zgjedhjet e vitit 2023, duke tejkaluar edhe rekordin e marsit të vitit 1996, kur në të njëjtën orë kishin votuar 63,45% e zgjedhësve. Gjatë ditës janë regjistruar radhë të gjata në qendrat e votimit.

Kryeministri socialist Pedro Sanchez, në pushtet që prej vitit 2018, kërkon një mandat tjetër përballë së djathtës. Pas votimit në Madrid, ai u shpreh optimist për pjesëmarrjen e qytetarëve.

“Shoh një mobilizim historik dhe për këtë arsye kam një ndjesi të mirë”, deklaroi Sanchez.

Ndërkohë, Partia Popullore, forca kryesore opozitare e qendrës së djathtë, nuk ka dhënë një vlerësim nëse pjesëmarrja rekord e favorizon apo e dëmton atë.

“Ose sondazhet gabojnë, ose Partia Popullore do të qeverisë. Për momentin po e ndjekim me qetësi ecurinë e ditës zgjedhore”, thanë burime nga drejtuesit e partisë për El Pais.

Kur mbyllet votimi dhe kur priten rezultatet?

Qendrat e votimit mbyllen në orën 20:00 në Spanjën kontinentale dhe në Ishujt Balearikë. Në Ishujt Kanarie, për shkak të ndryshimit të orës, votimi përfundon në orën 21:00 sipas orës së Spanjës kontinentale, kur do të nisë edhe numërimi i votave.

Rreth orës 22:30, zëdhënësja e qeverisë, Elma Saiz, dhe ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, do të dalin në një konferencë për shtyp për të dhënë informacionet e para mbi rezultatet zgjedhore.

Rreth orës 23:00 mund të ketë një vlerësim paraprak për fituesin, ndërsa më 3 dhjetor komisionet zgjedhore do të shpallin rezultatet përfundimtare.

Çfarë tregojnë sondazhet e fundit?

Sipas sondazhit të fundit të realizuar nga 40dB për El Pais dhe Cadena Ser, Partia Popullore kuotohet me 31,8% të votave, ndërsa socialistët e Sanchez-it me 30,9%. Partia e ekstremit të djathtë Vox kuotohet me 17,3%, ndërsa koalicioni i majtë Frente Amplio me 3,9%.

Sa mandate duhen për të formuar qeverinë?

Në zgjedhjet e kësaj të diele kanë të drejtë vote 38,73 milionë spanjollë. Prej tyre, 2,77 milionë jetojnë jashtë Spanjës, ndërsa mbi 1,6 milionë të rinj kanë mundësi të votojnë për herë të parë.

Spanjollët zgjedhin 350 anëtarët e Kongresit, dhomës së ulët të parlamentit, dhe 209 senatorë. Për të siguruar shumicën absolute nevojiten 176 vota në Kongres. Nëse kjo shumicë nuk arrihet në votimin e parë për zgjedhjen e kryeministrit, në votimin e dytë mjafton që votat pro të jenë më të shumta se ato kundër.

Në zgjedhjet e vitit 2023, Partia Popullore siguroi 137 mandate në Kongres, socialistët e PSOE-së 121, Vox 33 dhe Sumar 31.

Pas formimit të grupeve parlamentare, drejtuesit e partive do të zhvillojnë konsultime me mbretin në Pallatin Zarzuela. Mbreti do të propozojë kandidatin për kryeministër, i cili duhet të sigurojë mbështetjen e Kongresit për të drejtuar qeverinë e re.

Kush janë rivalët e Sanchez-it?

Përballë kryeministrit socialist Pedro Sanchez janë Alberto Nunez Feijoo, kreu i Partisë Popullore të qendrës së djathtë, Santiago Abascal, kreu i partisë së ekstremit të djathtë Vox, dhe ish-ministrja, aktualisht eurodeputete, Irene Montero e Podemos-it.

Risia e këtyre zgjedhjeve është Frente Amplio, koalicioni që bashkon 12 parti të majta progresiste, i drejtuar nga ish-kryebashkiakja e Barcelonës, Ada Colau.

Pse Spanja shkoi në zgjedhje të parakohshme?

Pedro Sanchez donte ta çonte deri në fund mandatin në vitin 2027, por më 5 tetor shpërndau parlamentin dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme për 29 nëntorin.

Kriza qeveritare shpërtheu pasi parlamenti rrëzoi dy dekretet e propozuara nga shumica qeverisëse PSOE-Sumar për krizën e strehimit. Dekretet erdhën pas protestave për të drejtën e strehimit dhe dëbimit nga banesa të 87-vjeçares Maricarmen Abascal, e cila ndërroi jetë në spital më 7 tetor.

Pakënaqësia u shtua edhe për shkak të krizës së emigracionit në Ceuta dhe akuzave për korrupsion që përfshinë disa drejtues të Partisë Socialiste, si dhe bashkëshorten e Sanchez-it, Begona Gomez, e cila është në gjyq për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe përvetësim të paligjshëm.

Bastet online i japin 92% shanse kreut të opozitës për t’u bërë kryeministër

Platforma e basteve online Polymarket e nxjerr kreun e Partisë Popullore, Alberto Nunez Feijoo, si favorit për të drejtuar qeverinë e ardhshme të Spanjës, duke i dhënë 92% mundësi për t’u bërë kryeministër, ndërsa rizgjedhjes së Pedro Sanchez vetëm 9%.

Vlera e basteve për kryeministrin e ardhshëm ka arritur në 9 milionë dollarë. Në një tjetër bast, me një volum prej 2 milionë dollarësh, Partisë Popullore i jepen 80% mundësi për të fituar zgjedhjet. Megjithatë, besueshmëria e këtyre parashikimeve mbetet e diskutueshme. Në maj, Ministria e Konsumit në Spanjë urdhëroi bllokimin e platformës Polymarket, pasi operonte pa licencë për lojërat e fatit.

Socialistët e Sanchez-it të kënaqur me pjesëmarrjen rekord, por tregohen të rezervuar për rezultatin

Partia Socialiste e kryeministrit Pedro Sanchez po e pret me ‘kënaqësi’ pjesëmarrjen rekord në zgjedhje, por drejtuesit e saj tregohen të rezervuar për ndikimin që mund të ketë në rezultat, raporton El Pais. Gjatë fushatës, Sanchez nguli këmbë se pjesëmarrja duhej të arrinte në 75% që koalicioni qeverisës progresist të kishte mundësi të siguronte një mandat tjetër. Kryeministri bëri thirrje për një mobilizim “epik dhe historik” për të penguar formimin e një qeverie të përbashkët mes Partisë Popullore dhe ekstremit të djathtë Vox. Sanchez pritet ta ndjekë numërimin e votave nga Pallati Moncloa dhe të shkojë në selinë e Partisë Socialiste kur rezultati të jetë i më qartë.

Pjesëmarrje rekord, deri në orën 18:00 kanë votuar 68,1% e spanjollëve

Spanja shënon një rekord historik të pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, deri në orën 18:00 kanë votuar 24.294.880 qytetarë, ose 68,1% e zgjedhësve, 15 pikë përqindjeje më shumë se në zgjedhjet e vitit 2023, kur në të njëjtën orë kishin votuar 53,1%. Pjesëmarrja ka tejkaluar edhe rekordin e marsit të vitit 1996, kur deri në orën 18:00 kishin votuar 63,45% e zgjedhësve, raporton El Pais.

Pjesëmarrja në Spanjë thyen rekordin e 1996-ës
Pjesëmarrja në Spanjë thyen rekordin e 1996-ës

Pjesëmarrja në votime 5 pikë përqindjeje më e lartë se në 2023

Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Spanjë ka arritur në 45,54% deri në orën 14:00, 5 pikë përqindjeje më shumë se në zgjedhjet e vitit 2023, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme.

Kryeministri socialist Pedro Sanchez, pasi votoi në Madrid, u shpreh optimist dhe tha se pret një nga pjesëmarrjet më të larta në historinë demokratike të vendit.

“Shoh një mobilizim historik dhe për këtë arsye kam një ndjesi të mirë. Sot është dita kur vendi ynë, Spanja, vendos se çfarë të ardhmeje dëshiron për katër vitet e ardhshme. Në demokraci ka shumë pushtete, por më i madhi është vota”, deklaroi Sanchez.

Sipas kryeministrit, sa më e lartë të jetë pjesëmarrja, aq më mirë do të përfaqësohet vullneti i qytetarëve në parlamentin e ardhshëm.

Ndërkohë, kreu i Partisë Popullore, forcës kryesore opozitare, Alberto Nunez Feijoo, u bëri thirrje spanjollëve që të mos votojnë nga frika, por duke mbajtur parasysh të shkuarën.

“Sot është dita kur spanjollët marrin timonin në dorë dhe vendosin për të ardhmen, fatin dhe drejtimin e Spanjës, jo vetëm për katër vitet e ardhshme, por ndoshta për dekadën e ardhshme. Në varësi të rezultateve zgjedhore, mund të ketë një para dhe një pas në politikën spanjolle”, tha Feijoo.

Kreu i partisë së ekstremit të djathtë Vox, Santiago Abascal, votoi në orën 11:30 në lagjen Hortaleza të Madridit, nga ku u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në zgjedhje.

“Shkoni të votoni që të mos pendoheni nesër. Drejtojuni kutive të votimit me gjithë guximin dhe shpresën që meriton Spanja”, tha Abascal.

Ai iu drejtua veçanërisht qytetarëve që zakonisht nuk votojnë, duke u kërkuar të marrin pjesë në zgjedhje që askush të mos votojë në vend të tyre. Kreu i Vox-it shprehu gjithashtu besimin se dita zgjedhore do të kalojë pa dhunë dhe incidente.

Nga ana tjetër, ish-kryebashkiakja e Barcelonës dhe kandidatja e koalicionit të majtë Frente Amplio, Ada Colau, votoi në lagjen Gracia të Barcelonës, ku theksoi rolin e grave në këto zgjedhje.

“Ne gratë jo vetëm që nuk do të heshtim, por do të jemi protagoniste dhe do të kemi një rol vendimtar në rezultatin e këtyre zgjedhjeve”, deklaroi Colau.

Ajo akuzoi disa forca politike se gjatë fushatës zgjedhore kanë nxitur urrejtjen dhe përplasjet, ndërsa të tjera janë përpjekur të mobilizojnë votuesit përmes frikës.

Për herë të parë në zgjedhje, spanjollët mund të identifikohen edhe përmes aplikacionit MiDNI në telefon, i cili gjeneron një kod QR të përkohshëm që skanohet në qendrat e votimit.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha