Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Animuar DOK Leipzig ka përmbyllur edicionin e tij të 69-të, i cili u shënua nga temat e konflikteve bashkëkohore, represionit politik, luftërave dhe qëndresës njerëzore. Përtej tematikave të rënda, ky edicion u vlerësua si një nga më të fuqishmit në historinë e festivalit, falë cilësisë dhe shumëllojshmërisë së filmave të përzgjedhur.
Çmimin kryesor, Pëllumbin e Artë për dokumentarin më të mirë me metrazh të gjatë, e fitoi regjisori Andrei Kutsila me filmin “Letters from the Silenced Country”. Dokumentari trajton historitë e të burgosurve politikë në Bjellorusi, represionin shtetëror dhe qëndresën e atyre që vazhdojnë të kundërshtojnë pushtetin autoritar.
Ndërkaq, Pëllumbi i Artë për filmin më të mirë të shkurtër iu nda “They’re Here”, me regji të Laura Poitras dhe Rachel Lauren Mueller. Filmi dokumenton rezistencën ndaj dhunës së agjentëve të Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) në Minneapolis.
Në kategorinë e dokumentarit më të mirë me metrazh të gjatë, Pëllumbin e Argjendtë e fitoi “Concrete Land”, filmi i parë dokumentar i regjisores Asmahan Bkerat, i cili pati premierën botërore në gusht, në kuadër të Javës së Kritikëve të Festivalit të Filmit në Locarno.
Historia e një familjeje beduine
Filmi sjell jetën e një familjeje beduine afro-palestineze në Jordani, duke trajtuar konfliktet mbi pronësinë e tokës, racizmin lokal dhe përplasjet mes brezave. Në sfondin e historisë së familjes, bulldozerët shkatërrojnë ullinjtë për t’i hapur rrugë projekteve ndërtimore, ndërsa në televizor shfaqen pamje nga Gaza dhe Izraeli.
Dokumentarët gjermanë
Vëmendje të veçantë në këtë edicion mori edhe gara gjermane e dokumentarëve. Pëllumbin e Artë për filmin më të mirë gjerman e fituan Peter Badel dhe Chris Wright me “Transition”, një projekt që vazhdon punën filmike të regjisorit Thomas Heise, i cili e kishte nisur atë deri në vdekjen e tij në maj të vitit 2024.
Përmes ndërthurjes së materialeve nga filmografia e Heise, historisë familjare dhe përvojës së jetës në Gjermaninë Lindore dhe atë pas vitit 1990, filmi ndërton një reflektim mbi kujtesën dhe ndryshimet historike.
Ndër filmat e tjerë që u veçuan ishte “Xiangzidian Village: The Stage” i regjisorit Hu Sanshou, i cili dokumenton transformimin e fshatit të tij të lindjes pas ndërtimit të një autostrade që e ndan atë në dy pjesë. Filmi vëzhgon mënyrën se si banorët e shndërrojnë përkohësisht rrugën e re në një hapësirë për pushim dhe takime, ndërsa fshati përjeton fundin e një epoke.
Në përzgjedhjen gjermane u dalluan edhe “Hotel Utopia” i Julia Groteclaes, që shqyrton marrëdhëniet e pushtetit dhe vetëmashtrimin brenda një hapësire të përbashkët banimi në malet e Bullgarisë, si dhe “Child Mother” i Konrad Schlaich, i cili ndjek betejën e gjatë të një nëne dhe vajzës së saj për një jetë larg varësisë nga droga.
Solidaritet dhe drejtësi
Ndërkaq, regjisoria Jasmine Alakari Abtin u vlerësua me Çmimin Verdi për Solidaritet, Humanizëm dhe Drejtësi me filmin “Free Zone”, në të cilin ndjek për një vit një të ri anarkist iranian në lagjen Exarchia të Athinës.
Në vlerësimin e festivalit, gazetari Fabian Tietke thekson se numri i madh i dokumentarëve cilësorë e bëri këtë edicion një prej më të spikaturve deri më tani. Sipas tij, filmat e përzgjedhur nuk u kufizuan vetëm në paraqitjen e krizave aktuale, por ofruan edhe këndvështrime më të ndërlikuara mbi realitetin politik dhe shoqëror.
Edicioni i sivjetmë i DOK Leipzig dëshmoi edhe një herë rëndësinë e filmit dokumentar si hapësirë për të trajtuar luftërat, autoritarizmin, kujtesën historike dhe qëndresën qytetare, duke e vendosur kinemanë në dialog të drejtpërdrejtë me zhvillimet e botës bashkëkohore. /KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










