Aktori Pierce Brosnan, i njohur për interpretimin e James Bondit në katër filma, ka shprehur mbështetjen e tij për aktorin Callum Turner, i cili po përmendet si një nga favoritët për të marrë rolin e agjentit të famshëm 007.
Në garën për të pasuar Daniel Craigun përmenden edhe aktorët Jack Lowden dhe Josh O’Connor, ndërsa spekulimet për emrin e pasardhësit të Bondit janë shtuar gjatë ditëve të fundit.
Vlerësimi i Brosnan për kandidatët
Në një intervistë për revistën Vanity Fair, Brosnan, i cili e interpretoi Bondin nga filmi “GoldenEye” (1995) deri te “Die Another Day” (2002), vlerësoi të gjithë kandidatët, por veçoi veçanërisht Callum Turner, me të cilin kishte bashkëpunuar në filmin “The Only Living Boy in New York” (2017), ku luajtën rolet e babait dhe të birit.
“Callum Turner është dikush me të cilin kam punuar dhe është shumë i fuqishëm si aktor”, u shpreh Brosnan, duke shtuar se të gjithë kandidatët kanë zërin, fizikun dhe praninë e duhur në ekran për këtë rol.
Aktori 73-vjeçar tha se mezi pret të mësojë se kush do të jetë James Bondi i ardhshëm, ndërsa atij që do ta marrë rolin i uroi forcë dhe guxim për të përballuar përgjegjësinë.
Brosnan shprehu gjithashtu entuziazmin për regjisorin e filmit të ardhshëm, Denis Villeneuve, duke e cilësuar atë si një krijues vizionar, me një mënyrë të veçantë të rrëfimit dhe të punës me kamerën.
Spekulimet rreth Turner dhe garës për rolin
Ndërkohë, spekulimet për përzgjedhjen e Turner janë intensifikuar pasi aktori 36-vjeçar është parë në studiot Bray në Berkshire më 30 tetor, ku dyshohet se ka realizuar një test për rolin. Po ashtu, sipas raportimeve të mediave britanike, ai është tërhequr nga pozita e drejtorit në kompaninë e produksionit Twentytwo Films, të cilën e kishte themeluar vitin e kaluar së bashku me bashkëshorten e tij, këngëtaren Dua Lipa.
Edhe Jack Lowden dhe Josh O’Connor kanë komentuar spekulimet për përfshirjen e tyre në garën për rolin e Bondit. Të dy kanë shprehur mirënjohje për vlerësimin, por nuk kanë konfirmuar asgjë lidhur me mundësinë e përzgjedhjes.
Afati dhe projekti i ardhshëm
Sipas producentës Amy Pascal, njoftimi zyrtar për aktorin që do të marrë rolin pritet të bëhet deri në fund të vitit 2026. Ajo ka theksuar se procesi i përzgjedhjes po zhvillohet me kujdes, duke pasur parasysh se pasimi i Daniel Craigut është një sfidë e madhe.
Filmi i 26-të i serisë James Bond do të drejtohet nga Denis Villeneuve, ndërsa skenari po shkruhet nga Steven Knight, krijuesi i serialit “Peaky Blinders”. Xhirimet pritet të nisin në vitin 2027, kurse premiera është planifikuar për vitin 2028.KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










