Shkrimtari dhe publicisti Ben Blushi është rikthyer pas tre dekadash në redaksinë e gazetës “Koha Jonë”, një prej mediave që ka lënë gjurmë në historinë e shtypit shqiptar.
Blushi, i cili 30 vite më parë mbante postin e kryeredaktorit të kësaj gazete, ka ndarë në rrjetet sociale një fotografi nga takimi me Nikollë Lesin, themeluesin e “Koha Jonë”, të cilin e cilëson si një mik prej 35 vitesh.
Kujtimet e gazetës dhe rëndësia e saj
Në një postim në Facebook, Blushi ka kujtuar historinë e gazetës dhe ndikimin që ajo pati në median shqiptare, duke e përshkruar si një prej projekteve më të rëndësishme të shtypit të pavarur në Shqipëri.
“Me Nikoll Lesin, personazh i ‘Historive të Çmendura të Tiranës’ në vitin 1997”, shkruan Blushi, duke rikthyer vëmendjen te vitet kur të dy ishin pjesë e një prej periudhave më të rëndësishme të gazetarisë shqiptare.
Ai tregon se Lesin e ka mik prej 35 vitesh dhe e vlerëson për kontributin në krijimin e një gazete të pavarur në Shqipëri.
Një sukses i veçantë në tirazh
“Lexoni se si gazeta Koha Jonë bëri atë që dhjetë televizione, njëzet portale dhe shtatë podcaste nuk e bëjnë dot sot”, shkruan më tej Blushi.
Gjatë periudhës kur Ben Blushi drejtonte gazetën, “Koha Jonë” arriti një sukses të jashtëzakonshëm, duke kapur shifrën e 100 mijë kopjeve të shitura në ditë, një rekord që e vendosi atë në një pozicion të veçantë në historinë e medias shqiptare.
Burimi: bordo.al










