Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Avioni nga Beogradi për në Moskë: Ka tentuar të arratisej i afërmi i Vuçiçit?

Avioni nga Beogradi për në Moskë: Ka tentuar të arratisej i afërmi i Vuçiçit?
Foto: euronews.al

Avioni i Air Serbia kthehet në Beograd

Një zhvillim i papritur ka ndodhur dje në qiellin e Lituanisë. Avioni i Air Serbia, i nisur nga aeroporti «Nikola Tesla» në Beograd drejt Moskës, u urdhërua të kthehej në Beograd. Sipas informacioneve jozyrtare të portalit Nova.rs, në avion ndodheshin kryetari i Lëvizjes së Socialistëve, Aleksandar Vulin, drejtori i «Srbijagas», Dušan Bajatović, dhe kryetari i Partisë Popullore Serbe (SNP), Nenad Popović. Të tre konsiderohen njerëz të Kremlinit në Beograd. Vulin ka qenë edhe shef i shërbimit sekret serb, BIA, dhe një nga personat më besnikë të Aleksandar Vuçiqit, autokratit të mposhtur në zgjedhje.

Sipas mediave të pavarura serbe, fluturimi JU134 u nis në orën 18:48 dhe kishte arritur pranë një qyteti në jug të Lituanisë, kur u dha urdhri për kthim në Beograd, thuhet për arsye sigurie.

Gjatë ditës, kryetari i Partisë Demokratike, Srđan Milivojević, kishte shtruar këtë pyetje në rrjetin social X: «E kush po ia mbath sonte për në Moskë me fluturimin e orës 18:30?»

Avioni u ul përsëri në Beograd pak para orës 22:00, sipas të dhënave të faqes Flightradar24.

Kontrolli i sigurisë dhe pyetjet e hapura

Nova.rs raporton se Vulin nuk iu nënshtrua kontrollit të sigurisë në aeroportin e Beogradit dhe arriti të hipte në avion. Sipas të njëjtave informacione, dyshohet se dikush e ka ndihmuar. Bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë, procedurat nuk ishin respektuar.

Kush është Aleksandar Vulin

Aleksandar Vulin është politikan prorus dhe bashkëpunëtor i afërt i ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Ai ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm, ndërsa nga dhjetori 2022 deri në nëntor 2023 drejtoi shërbimin sekret serb, BIA.

Më 11 korrik 2023, SHBA-ja e sanksionoi për korrupsion, duke e akuzuar gjithashtu për përfshirje në krim të organizuar dhe veprimtari të paligjshme me narkotikë. Sipas Thesarit amerikan, ai ndihmoi trafikantin e sanksionuar të armëve Slobodan Tešić dhe përdori pushtetin për përfitime personale. Emri i tij lidhet edhe me skandalin «tetka iz Kanade»: ai pretendoi se tezja e bashkëshortes nga Kanadaja i kishte huazuar 205 mijë euro për një banesë. Agjencia kundër korrupsionit nuk e pranoi këtë shpjegim, ndërsa prokuroria mbylli çështjen për mungesë provash penale.

Akuzat për ndikim rus

Washingtoni e akuzoi gjithashtu se i kishte hapur rrugë ndikimit rus dhe veprimtarive destabilizuese të Moskës në Ballkanin Perëndimor. Opozitari rus Vladimir Kara-Murza e akuzoi se ia dorëzoi Nikolai Patrushevit transkriptet e përgjimeve të opozitarëve rusë në Beograd në vitin 2021. Patrushev është ish-drejtor i FSB-së, shërbimit sekret rus, dhe një nga këshilltarët më të afërt e më me ndikim të Vladimir Putinit në çështjet e sigurisë. Vulin është ndër promovuesit kryesorë të «srpski svet», «botës serbe», një koncept që synon bashkimin e serbëve përtej kufijve të Serbisë.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha