Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Bob Dylan takon Papa Leonin XIV në Vatikan

Bob Dylan takon Papa Leonin XIV në Vatikan
Foto: kultplus.com

Legjenda e muzikës Bob Dylan është pritur nga Papa Leoni XIV në Pallatin Apostolik në Vatikan, në një takim që bashkoi muzikën, spiritualitetin dhe mesazhin për paqe. Këngëtari amerikan, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi, i dhuroi Papës autobiografinë e tij, ndërsa mori prej tij një rruzare.

Takimi u zhvillua të mërkurën pasdite, në prani të priftit Antonio Spadaro dhe Andrea Monda, kryeredaktor i gazetës së Vatikanit “L’Osservatore Romano”. Spadaro e bëri të ditur takimin përmes rrjeteve sociale, duke publikuar edhe fotografi të Dylanit pranë Papës.

Artisti 85-vjeçar ndodhet në Romë për një koncert që do të mbajë të enjten në mbrëmje në Palazzo dello Sport, në kuadër të turneut të tij. Gjatë takimit të shkurtër, Papa Leoni XIV i dhuroi një rruzare, ndërsa Dylan ia dhuroi një kopje të librit të tij autobiografik “Chronicles: Volume One”.

Një takim jo krejt i papritur

Ky takim nuk ishte krejt i papritur. Në korrik të këtij viti, Papa Leoni XIV kishte cituar një tekst të panjohur gjerësisht të Bob Dylanit në parathënien e librit “Disarmata e disarmante. La pace è un dono”, botuar nga shtëpia botuese e Vatikanit Libreria Editrice Vaticana.

Bëhet fjalë për këngën protestuese “Go Away You Bomb”, të shkruar nga Dylan në vitin 1963, në kulmin e Luftës së Ftohtë. Teksti përmban një mesazh kundër kërcënimit bërthamor dhe armëve të shkatërrimit në masë. Kënga nuk është regjistruar apo publikuar zyrtarisht në albumet e artistit, ndërsa dorëshkrimi origjinal u zbulua vetëm në vitin 2013. Papa e kishte përdorur këtë tekst për të paralajmëruar kundër riarmatimit dhe rrezikut të një përshkallëzimi të ri bërthamor.

Dylan u bë një nga zërat më të rëndësishëm muzikorë të viteve 1960, veçanërisht përmes këngëve “Masters of War” dhe “Blowin’ in the Wind”, të lidhura me protestat kundër luftës dhe lëvizjen për të drejtat civile.

Takime të mëparshme me Papët

Kjo nuk është hera e parë që këngëtari takohet me një Papë. Në vitin 1997, ai mori pjesë në Kongresin Kombëtar Eukaristik në Bolonjë të Italisë, ku performoi para Papa Gjon Palit II dhe rreth 300 mijë të rinjve. Pas interpretimit të tri këngëve, përfshirë “Knockin’ on Heaven’s Door”, Dylan u ngjit në skenën papnore dhe shtrëngoi dorën e Papës.

Në atë rast, Gjon Pali II kishte cituar vargje nga kënga “Blowin’ in the Wind”, duke iu përgjigjur pyetjes së njohur të Dylanit se sa rrugë duhet të përshkojë njeriu për t’u konsideruar i tillë. Papa e kishte lidhur përgjigjen me besimin e krishterë, duke thënë se rruga e vetme për njeriun është ajo e Jezu Krishtit.

Spiritualiteti në jetën e Dylanit

Spiritualiteti ka qenë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit personal dhe artistik të Dylanit. I rritur në një familje hebraike, ai përjetoi një kthesë të rëndësishme fetare në fund të viteve 1970, duke u afruar me krishterimin. Në vitin 1979 publikoi albumin “Slow Train Coming”, të pasuar nga “Saved” dhe “Shot of Love”, ku besimi i krishterë dhe muzika gospel zinin vend qendror.

Ndërkohë, edhe Papa Leoni XIV ka folur vazhdimisht për rëndësinë e muzikës dhe fuqinë e saj shpirtërore. Në një aktivitet kushtuar koreve dhe grupeve korale, në nëntor të vitit 2025, ai e përshkroi muzikën si një dhuratë të qytetërimeve, përmes së cilës njeriu shpreh atë që mbart në thellësi të zemrës.

Duke iu referuar Shën Augustinit, Papa kishte kujtuar shprehjen latine “Cantare amantis est”, që do të thotë se të kënduarit është karakteristikë e atij që dashuron./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha