Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Kuzhina arbëreshe udhëton drejt botës

Kuzhina arbëreshe udhëton drejt botës
Foto: bordo.al

Në Piana degli Albanesi, qyteti siçilian i Italisë ku gjuha dhe traditat shqiptare janë ruajtur brez pas brezi, u hap edicioni i dytë i Muajit të kuzhinës shqiptare në botë. Ngjarja u zhvillua të shtunën, më 31 tetor, dhe u organizua nga AlbChef në bashkëpunim me bashkinë e qytetit, të drejtuar nga kryetari Rosario Petta.

Kuzhinierët shqiptarë dhe arbëreshë në një tryezë të përbashkët

Aktiviteti bashkoi kuzhinierë nga Shqipëria dhe nga komuniteti arbëresh. Chefat Sokol Prenga, Oltion Veshi, Gentian Skendaj dhe Bujar Veshi, së bashku me chefin arbëresh Giovanni Guerriero, përgatitën një menu të përbashkët. Përmes tij, gastronomia u shndërrua në një urë lidhëse mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe arbëreshëve të Italisë.

Festa e kulturës dhe traditës

Atmosferën festive e plotësuan vallet e grupit folklorik Amantia, muzika e grupit The Gentle Cosmic Crash dhe interpretimet letrare të shkrimtarit Tom Kuka. Kështu takimi u kthye në një festë të traditës dhe kulturës shqiptare.

Zgjedhja e Piana degli Albanesi për të çelur edicionin nuk ishte e rastësishme. Qyteti është një nga dëshmitë më të bukura të rrënjëve shqiptare që kanë mbijetuar ndër shekuj, ku gjuha, mikpritja, muzika, vallet dhe zakonet vazhdojnë të përcillen sot e kësaj dite.

Synimi i nismës

Përmes kësaj nisme, AlbChef synon të promovojë gastronominë shqiptare dhe të forcojë lidhjet mes kuzhinierëve, komuniteteve dhe diasporës. Këtë vit aktivitetet do të zhvillohen në më shumë se 30 qytete në Evropë dhe më gjerë, duke i sjellë shijet dhe traditat shqiptare në tryeza të ndryshme të botës.

Burimi: bordo.al

Të fundit Të gjitha