Detaje të reja kanë dalë në sipërfaqe në lidhje me lëvizjet e mundshme të Albert Sylajt, i cili dyshohet për vrasjen e Arlinda Zekajt, një krim që shkaktoi tronditje të thellë në opinionin publik dhe nxiti reagime të shumta për sigurinë e grave në Kosovë.
Lëvizjet e raportuara të të dyshuarit
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, Sylaj është raportuar të jetë vërejtur mbrëmjen e së djeshmes, më 26 tetor 2026, në Prishtinë, ndërsa mbrëmjen e sotme, më 27 tetor, kanë qarkulluar informacione të reja se ai është lokalizuar në zonën e Becit.
Bazuar në të dhënat që ka siguruar Sinjali, gjatë mbrëmjes së djeshme, rreth orës 19:20, një qytetar kishte informuar Policinë se kishte vënë re një person të cilin e kishte identifikuar si të dyshuarin për vrasjen e rëndë në Pejë.
Në të njëjtën kohë, ishin shfaqur dyshime se Sylaj po kërkonte të merrte ndihmë nga persona të tjerë për t’u larguar drejt Serbisë dhe për t’i shmangur arrestimit.
Zhvillime të reja në kërkim
Ndërkohë, informacionet e siguruara sonte tregojnë për një zhvillim të ri në kërkimin për të dyshuarin, i cili raportohet se është lokalizuar në zonën e Becit.
Gazeta Sinjali disponon edhe identitetet e personave që përmenden në këto informacione, si dhe hollësi të tjera mbi lëvizjet dhe kontaktet e dyshuara, por ka vendosur të mos i bëjë publike për të mos ndikuar negativisht në veprimet e autoriteteve.
Ende nuk ka konfirmim zyrtar nëse lokalizimi i raportuar ka çuar në kontakt të drejtpërdrejtë me të dyshuarin apo në arrestimin e tij.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor, ndërsa Albert Sylaj është identifikuar si i dyshuari për këtë krim.
Rasti ka ngritur shqetësime serioze edhe për mënyrën se si institucionet kishin trajtuar denoncimet e mëhershme të viktimës dhe kërkesat e saj për mbrojtje.
Gazeta Sinjali do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet lidhur me kërkimin për të dyshuarin.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Burimi: www.gazetaexpress.com









