Edhe pse Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi një ditë më parë vendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatëve për bojkotin e seancave në shkallën e parë në GJKKO, avokatët vazhdojnë të mos paraqiten në gjyqe.
Seancat e dështuara
Vetëm këtë të enjte kanë dështuar të paktën 10 seanca gjyqësore, përfshirë ato për çështjen Meta-Kryemadhi dhe për dosjen e Sterilizimit që përfshin Ilir Beqjan.
Sipas burimeve për Report Tv, avokatët po presin një qëndrim nga Dhoma pavarësisht vendimit të Gjykatës Administrative. Dhoma Kombëtare e Avokatisë pritet të mbajë një mbledhje dhe më pas të dalë me një qëndrim zyrtar. Deri në atë moment, sipas tyre, bojkoti mbetet në fuqi.
Shkaqet e bojkotit
Bojkotimi i proceseve në GJKKO u vendos që prej 9 shtatorit të kaluar, si reagim ndaj një rregulloreje censuruese të Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë, e cila u ndalon avokatëve të mbajnë celularin në sallën e gjyqeve. Kjo rregullore është kundërshtuar ashpër edhe nga komuniteti i medias.
Burimi: shqiptarja.com










