Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, duke sjellë në vëmendje momente dhe personalitete të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka kujtuar përshkrimet e poetit Lasgush Poradeci për festimet e 28 Nëntorit në Bukuresht. Sipas këtij kujtimi, flamuri kuqezi shërbente si simbol i bashkimit të shqiptarëve, përtej dallimeve krahinore.
Kongresi i Manastirit dhe roli i Fishtës
Konjufca ka ndalur edhe te Kongresi i Manastirit i vitit 1908, si dhe te roli i At Gjergj Fishtës. Ky i fundit kishte paralajmëruar rrezikun e copëtimit të Shqipërisë dhe kishte theksuar domosdoshmërinë e mbrojtjes së atdheut.
Në mesazhin e tij është përmendur edhe bashkëpunimi mes shqiptarëve të besimeve të ndryshme në mbështetje të gjuhës dhe identitetit kombëtar. Në këtë kontekst, ai ka sjellë në kujtesë përqafimin e At Gjergj Fishtës me Hafëz Ibrahim Efendiun, pas fjalimit të fratit shqiptar në Kongresin e Manastirit.
Shpallja e Pavarësisë dhe figurat e tjera
Duke lidhur festën me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Konjufca ka përmendur edhe mësuesin Sali Gjuka nga Peja. Ai ishte njëri prej nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë më 28 nëntor 1912.
Një vend të veçantë në urimin e tij zë edhe komandanti legjendar Adem Jashari, i lindur më 28 nëntor 1955 dhe i flijuar bashkë me familjen e tij për lirinë e Kosovës. Konjufca ka rikujtuar se më 28 nëntor 1997, pikërisht në ditëlindjen e Jasharit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shfaq për herë të parë publikisht.
Thirrja për bashkim
Në përmbyllje, kryetari i Kuvendit të Kosovës ka bërë thirrje që shqiptarët të bashkohen rreth flamurit kombëtar, të cilin e ka cilësuar si një simbol përtej ndarjeve, që i bashkon shqiptarët kudo ku jetojnë.
“Le të na bashkojë gjithnjë 28 Nëntori”, ka shkruar ai.
Burimi: www.albeu.com










