TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Bashkia e Tiranës zhvilloi sot ceremoninë zyrtare me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në ceremoninë e organizuar me rastin e 28 Nëntorit morën pjesë nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, Sara Goxhaj, Sadi Vorpsi dhe Etleva Bisha, të cilët nderuan kujtimin e patriotëve dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Si simbol i festës kombëtare, godina e Bashkisë së Tiranës u vesh me ngjyrat kuqe e zi të flamurit shqiptar.
Në vijim të ceremonisë, u vendosën kurora me lule pranë bustit të Ismail Qemalit, si shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për figurën e themeluesit të shtetit shqiptar dhe kontributin e tij historik në shpalljen e Pavarësisë.
Nderim për figurat historike
Përmes kësaj ceremonie, Bashkia e Tiranës përcolli mesazhin e mirënjohjes dhe respektit për figurat historike dhe kontributin e tyre në rrugëtimin drejt krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë simbolike të flamurit kuqezi, si element bashkimi dhe identiteti kombëtar.
“Flamuri kuqezi na bashkon, na kujton rrënjët dhe na frymëzon të punojmë çdo ditë për një Shqipëri më të mirë”, thuhet në mesazhin e Bashkisë së Tiranës.
Kujtim historik
28 Nëntori shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare. Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke shënuar një moment historik në rrugëtimin e shqiptarëve drejt shtetformimit dhe sovranitetit kombëtar.
114-vjetori i Pavarësisë kremtohet në të gjithë vendin dhe në komunitetet shqiptare jashtë kufijve, si një ditë që simbolizon lirinë, identitetin dhe bashkimin kombëtar.





1 nga 17
/m.m/ /a.g/
Burimi: ata.gov.al









