Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Kadrijaj: Prodhuesit vendorë përballen me standarde të dyfishta

Kadrijaj: Prodhuesit vendorë përballen me standarde të dyfishta
Foto: pressonline.al

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, gjatë seancës së sotme ka shprehur shqetësime për gjendjen e qumështit në Kosovë.

Sipas Kadrijaj, prodhuesve vendas u është kufizuar përdorimi i vajit të palmës, ndërkohë që dyshohet se i njëjti përbërës ndodhet në produktet që importohen.

“Sot po ngre një shqetësim serioz që prek drejtpërdrejt prodhimin vendor, fermerët, punëtorët dhe ekonominë e Kosovës. Si është e mundur që prodhuesve vendorë të qumështit t’u kufizohet përdorimi i vajit të palmës në nënproduktet e qumështit, ndërsa në tregun e Kosovës vazhdojnë të shiten produkte që dyshohet se përmbajnë të njëjtin përbërës”, ka thënë ajo.

Rreziku për punësimin në qumështoren Vita

Deputetja ka alarmuar edhe për pasojat që mund të shkaktohen në vendet e punës, duke theksuar se qumështorja Vita “ka paralajmëruar pasoja të rënda në punësim, me rrezikun që rreth 500 punëtorë të mbeten pa punë”.

“Nuk mund të ketë një standard për qumështin e Kosovës dhe një tjetër për produktet që vijnë nga jashtë. Ndërkohë që produktet e importuara konkurrojnë në tregun tonë, qumështoret vendore po përballen me pasiguri, kosto dhe rrezik për vazhdimin e veprimtarisë. Sipas shqetësimeve të ngritura nga sektori privat, rreth 15 qumështore vendore janë në rrezik serioz. Qumështorja VITA ka paralajmëruar pasoja të rënda në punësim, me rrezikun që rreth 500 punëtorë të mbeten pa punë”, ka shtuar ajo.

Më tej, Kadrijaj ka shtruar pyetjen se a e kuptojnë “institucionet se çfarë do të thotë kjo”.

“A e kuptojnë institucionet çfarë do të thotë kjo? Pas çdo qumështoreje janë fermerë që prodhojnë qumësht, punëtorë që sigurojnë bukën e gojës dhe investime që janë ndërtuar me vite. Nëse mbyllen qumështorët, kush do t’ua blejë qumështin fermerëve tanë, kush do t’i mbajë punëtorët në punë dhe kush do ta paguajë faturën ekonomike të kësaj gjendjeje”, ka shtuar ajo.

Kërkesa për barazi për fermerët

Në fund, deputetja ka kërkuar “barazi” për fermerët e vendit, duke thënë se nuk mund të “përdoren standarde të dyfishta”.

“Kuvendi duhet të kërkojë përgjegjësi dhe transparencë para se të rrezikohen edhe më shumë vendet e punës. Nuk bën një standard i dyfishtë. Ju më parë keni rrëzuar kamionë që kanë ardhur me produkte nga jashtë Kosovës. Barazi për fermerët tanë, sepse nuk mund të përdorim standarde të dyfishta, të lejojmë të futen jogurt nga Serbia dhe t’ua ndalojmë punën qumështorëve tanë dhe fabrikës VITA”, ka deklaruar Kadrijaj.

Burimi: pressonline.al

Të fundit Të gjitha