Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se është duke u mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, në lidhje me vrasjen e gruas në Vitomiricë të Pejës.
Kërkesa për komision hetimor
Nagavci ka njoftuar se seanca synohet të mbahet gjatë ditës së sotme, ndërsa si hap fillestar do të kërkohet themelimi i një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar përgjegjësinë e institucioneve në këtë rast.
Në një njoftim, ajo ka deklaruar se qëllimi është zbardhja e të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve institucionale që kanë të bëjnë me këtë rast.
Reagimi i Nagavcit
Nagavci ka theksuar se viktima kishte kërkuar ndihmë dhe mbrojtje, por tri ditë pasi kishte njoftuar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj, ajo u vra.
“Çdo veprim dhe mosveprim duhet të hetohet dhe askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka theksuar se asnjë grua nuk duhet ta humbasë jetën pasi u drejtohet institucioneve për mbrojtje dhe se përgjegjësia institucionale matet me aftësinë për të parandaluar dhunën dhe për të reaguar me kohë.
Burimi: www.dukagjini.com










