Ish-mjekja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Time Kadrijaj, ka rikujtuar momente të rënda nga periudha e luftës, duke folur për sakrificën e të rinjve që humbën jetën për lirinë e vendit.
Në një intervistë të dhënë në emisionin “Sol” të Klan Kosovës, Kadrijaj nuk i mbajti dot lotët teksa përshkroi guximin dhe vendosmërinë e ushtarëve të UÇK-së që përballeshin me rrezikun në vijat e para të frontit.
Kujtime nga fronti i luftës
“Ishin djem të rinj, plot vullnet dhe energji. Nuk e njihnin frikën dhe shkonin në vijën e parë duke kënduar. Ndoshta në mbrëmje nuk ktheheshin më”, tha ajo mes lotësh, duke shprehur dhimbjen që ndien sot për mënyrën se si trajtohen këta njerëz.
Kadrijaj tregoi gjithashtu për kushtet e jashtëzakonshme në të cilat përballeshin me plagët e luftës, në një kohë kur mungonin pajisjet bazë mjekësore. Sipas saj, gjaku merrej drejtpërdrejt nga një person dhe i transfuzohej tjetrit, ndërsa në situata kritike ndërhyrjet kryheshin me mjete të improvizuara për t’u shpëtuar jetën ushtarëve.
Kushtet mjekësore dhe takimi me Ramush Haradinajn
“Dikujt nga ushtarët iu pre dora me sharrë druri. Nëse ajo dorë nuk do t’i ishte prerë për shkak të granatave, ai do të kishte vdekur. Sot është gjallë dhe ka mbijetuar pa atë dorë. Ka ushtarë që, kur i shoh sot, habitem që janë ende gjallë dhe nuk e di si kanë mundur t’i përballojnë ato plagë”, rrëfeu ajo.
Ajo kujtoi edhe takimin e parë me Ramush Haradinajn në front, duke vlerësuar përpjekjet e tij për krijimin e një salle të improvizuar operacioni, ku shërbenin kirurgë dhe vullnetarë. Në rrëfimin e saj përmendi edhe gratë që, mes krismave, angazhoheshin për t’u siguruar ushqim ushtarëve.
Burimi: www.albeu.com










