Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Katër sipërmarrës shqiptarë tregojnë rrugën e suksesit në podkastin Flasim

Katër sipërmarrës shqiptarë tregojnë rrugën e suksesit në podkastin Flasim
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 29 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Katër sipërmarrës dhe profesionistë shqiptarë, të cilët kanë ndërtuar aktivitetet e tyre në fusha të ndryshme, ishin sot të ftuarit e kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim”, ku treguan rrugëtimin e tyre drejt promovimit të produkteve dhe vlerave shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Në rubrikën “Gurët që po bëjnë Shqipërinë”, ishin të ftuar Betina Sharavolli, Florian Shytaj, Xhejms Kalaj dhe Dritan Shakohoxha, katër personazhe që vijnë nga drejtime të ndryshme, por që i bashkon puna e krijuar me iniciativën e tyre.

Përmes historive të tyre personale dhe profesionale, ata sollën shembuj të sipërmarrjes, inovacionit dhe rikthimit në vendlindje, duke dëshmuar mënyra të ndryshme të kontributit në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë.

Betina Sharavolli dhe “Anzotika”

Betina Sharavolli, 28 vjeçe nga Berati, e diplomuar në Akademinë e Arteve, ka krijuar studion “Anzotika”, ku realizon suvenire dhe bizhuteri artizanale, të frymëzuara nga trashëgimia kulturore shqiptare, përmes simboleve si Xhubleta dhe “Motra Tone”.

Punimet e saj tregtohen në Shqipëri dhe në Diasporë, ndërsa synimi është shndërrimi i “Anzotika”-s në një markë me prezencë ndërkombëtare. Një tjetër projekt që ajo synon të realizojë është krijimi i një Akademie të Artit të Miniaturës, për të përcjellë njohuritë dhe pasionin për këtë fushë te brezat e rinj.

“Klientët i pëlqejnë sepse i lidhin shpesh edhe me identitetin e tyre, me origjinën, duke qenë se janë të bazuara në simbole etnografike. Kanë një vlerë më të madhe sesa thjesht ajo dekoruese apo artistike”, u shpreh ajo.

Florian Shytaj dhe prodhimi i vajit të ullirit

Një tjetër histori rikthimi dhe investimi është ajo e Florian Shytajt, ish-boksierit që pas 20 vitesh qëndrimi në Toskanë të Italisë, zgjodhi të investojë në vendlindje, në Orikum. Ai ka ngritur një sipërmarrje në kultivimin e ullirit dhe prodhimin e vajit të ullirit cilësor.

Shytaj tregon se markat e tij “Bregu i Lofatave” dhe “David” kanë hyrë në tregjet ndërkombëtare, me eksporte drejt Zvicrës, Shteteve të Bashkuara dhe Londrës, ndërsa synimi i radhës është zgjerimi në tregjet aziatike, veçanërisht në Japoni, Singapor dhe Korenë e Jugut.

“Ne kemi një përkushtim shumë të madh te ulliri. Kemi një parcelë që është unike në Shqipëri, me ullinj shekullorë, të cilët synojmë t’i regjistrojmë dhe dixhitalizojmë”, tha Shytaj, duke iu referuar edhe rreth 300 pemëve mijëvjeçare pranë parkut arkeologjik të Orikumit, për mirëmbajtjen e të cilave ka marrë lejen përkatëse.

Gjatë bisedës, ai foli edhe për synimin për të rritur prodhimin, përmes mekanizimit dhe investimeve në teknologji, si dhe për zgjerimin e pranisë në tregjet e huaja.

Shytaj theksoi se mbështetja e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka ndihmuar në mekanizimin e punës në ullishte, përmes projekteve dhe kredive me garanci sovrane. Ai vlerësoi bashkëpunimin me AZHBR-në, duke theksuar se këto instrumente financiare ndihmojnë në përballimin e mungesës së fuqisë punëtore.

Xhejms Kalaj dhe “Jimmy Pro”

Një prej të ftuarve ishte Xhejms Kalaj, i cili pas 28 vitesh qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, është kthyer në vendlindjen e tij, në Vukpalaj të Malësisë së Madhe, së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët.

Ai ka zgjedhur të ndërtojë jetën në Shqipëri, duke ngritur sipërmarrjen “Jimmy Pro”, të cilën e menaxhon online. Aktiviteti i tij përfshin shërbime për pastrimin e ajrit, lyerjen dhe restaurimin e mobiljeve, një projekt që synon ta zhvillojë më tej edhe në tregjet e huaja.

Dritan Shakohoxha dhe tregu imobiliar

Pjesë e të ftuarve është edhe Dritan Shakohoxha, një prej zërave të njohur të komentimit sportiv shqiptar, i cili pas një karriere të gjatë në gazetari dhe sport është angazhuar në tregun imobiliar. Aktualisht ai drejton si CEO kompaninë “Mikado Real Estate”, të themeluar në vitin 2021, e cila ushtron aktivitet në ndërmjetësimin e shitblerjes dhe dhënies me qira të pronave.

Shakohoxha foli mbi dinamikën e tregut imobiliar sot në Shqipëri, ndërsa theksoi se vendi ofron sot shumë mundësi për investime, veçanërisht në bregdet.

/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha