Tirana dhe Palermo tashmë janë të lidhura me një linjë të re direkte ajrore. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, në bashkëpunim me kompaninë Wizz Air, ka inauguruar fluturimin e ri drejt kryeqytetit të Siçilisë, duke shtuar një destinacion tjetër italian në rrjetin e fluturimeve nga Tirana.
Linja e re do të operojë dy herë në javë, çdo të martë dhe të shtunë, duke krijuar më shumë mundësi udhëtimi për shqiptarët drejt Siçilisë, si dhe për turistët italianë që zgjedhin Shqipërinë.
Ceremonia e inaugurimit në Aeroportin e Tiranës
Me rastin e inaugurimit, në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës u zhvillua një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues të TIA, Aeroportit të Palermos, Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe kompanisë Wizz Air.
Drejtori i Operacioneve të Aeroportit të Tiranës, Piervittorio Farabbi, theksoi se zgjerimi i fluturimeve shoqërohet me investime në infrastrukturë dhe kapacitete operacionale.
“Inaugurimi i linjës Tiranë-Palermo forcon më tej lidhjet ajrore mes dy vendeve tona, me tashmë 22 aeroporte italiane të lidhura me TIA. Të mbështetur nga investimet e vazhdueshme në infrastrukturë dhe kapacitete operacionale, ne vijojmë të zgjerojmë rrjetin tonë, duke garantuar njëkohësisht operacione aeroportuale efikase dhe një përvojë udhëtimi sa më të lehtë e pa pengesa për pasagjerët”, tha Piervittorio Farabbi, Drejtor i Operacioneve (Chief Operating Officer) në TIA.
Drejtoresha e AKT-së, Jola Hysa, e vlerësoi linjën e re si një mundësi për të forcuar marrëdhëniet dhe shkëmbimet mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Ky destinacion forcon marrëdhëniet dypalëshe me Italinë dhe krijon mundësi të reja për zhvillimin e turizmit 365 ditë të vitit, duke afruar edhe më shumë dy popujt dhe duke e kthyer Shqipërinë në një destinacion gjithnjë e më tërheqës turistik”, u shpreh Jola Hysaj, Drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Vlerësimet nga Aeroporti i Palermos
Ndërsa nga Aeroporti i Palermos, drejtori ekzekutiv i GESAP, Gianfranco Battisti, e cilësoi linjën Tiranë–Palermo si strategjike për forcimin e lidhjeve ekonomike, turistike dhe kulturore mes dy vendeve.
“Kjo nuk është thjesht një linjë e re, por një lidhje ajrore strategjike që forcon marrëdhëniet ekonomike, turistike dhe kulturore mes Siçilisë dhe Shqipërisë. Synimi ynë është të vazhdojmë zgjerimin e lidhjeve ajrore cilësore drejt tregjeve me potencial të lartë rritjeje”, tha Drejtori ekzekutiv i GESAP, Gianfranco Battisti.
Hapja e linjës direkte Tiranë–Palermo shton kështu mundësitë e udhëtimit mes dy vendeve dhe zgjeron më tej rrjetin ndërkombëtar të Aeroportit të Tiranës, duke sjellë një destinacion tjetër si për udhëtarët shqiptarë, ashtu edhe për vizitorët italianë që zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik./abcnews.al
Burimi: abcnews.al










