46 ndeshje, 17 gola dhe 15 asistime. Ernest Muçi po kalon një periudhë shumë të mirë te Trabzonspori, me shifra që tregojnë qartë ndikimin e tij në skuadrën turke.
Ernest Muçi te Trabzonspori
Ernest Muçi e ka gjetur sërish formën më të mirë te Trabzonspori, ku po konfirmohet si një nga lojtarët më vendimtarë të ekipit. Të dhënat e publikuara nga media turke Sabah Spor nxjerrin në pah ndryshimin e madh në rendimentin e fantazistit shqiptar krahasuar me periudhën e kaluar te Beşiktaşi.
Me fanellën e Trabzonsporit, Muçi ka luajtur 46 ndeshje, ka shënuar 17 gola dhe ka dhënë 15 asistime, duke kontribuar drejtpërdrejt në 32 gola. Është një statistikë mbresëlënëse për futbollistin shqiptar, i cili po tregon cilësitë e tij në repartin ofensiv.
Krahasimi me Beşiktaşin
Krahasimi me aventurën te Beşiktaşi është domethënës. Në 61 ndeshje me klubin e Stambollit, Muçi shënoi 11 gola dhe dha katër asistime, për një total prej 15 kontributesh në gol.
Diferenca është e qartë: te Trabzonspori, shqiptari ka regjistruar më shumë se dyfishin e kontributeve në gol, ndonëse ka luajtur 15 ndeshje më pak. Për më tepër, mesatarja e tij është rritur ndjeshëm, duke dëshmuar një efektivitet më të lartë në lojën sulmuese.
Burimi: kohajone.com










