Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Shoqata gjermane e industrisë kritikon paketën fiskale dhe kërkon ulje të TVSH-së për energjinë

Shoqata gjermane e industrisë kritikon paketën fiskale dhe kërkon ulje të TVSH-së për energjinë
Foto: albeu.com

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) ka reaguar ndaj paketës së re fiskale, duke ngritur shqetësimin për mungesën e konsultimit dhe për ndikimin që pritet të kenë ndryshimet e propozuara te investitorët gjermanë. Në një deklaratë për mediat, DIHA thekson se si përfaqësuese e biznesit gjerman në Shqipëri është veçanërisht e vëmendshme ndaj ndikimit të ndryshimeve mbi investimet ekzistuese dhe tregtinë mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, të cilat varen nga kushte tatimore të qëndrueshme dhe të parashikueshme.

Mungesa e konsultimit publik

“Si përfaqësuese e biznesit gjerman në Shqipëri, DIHA është veçanërisht e vëmendshme ndaj ndikimit që ndryshimet e propozuara kanë mbi investitorët gjermanë, investimet ekzistuese dhe tregtinë ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë, të cilat varen nga kushte tatimore të qëndrueshme dhe të parashikueshme për planifikimin afatgjatë.

DIHA shpreh keqardhjen që komuniteti i biznesit nuk u përfshi në procesin e hartimit të paketës. Projektligjet nuk u publikuan për konsultim publik, siç parashikohet nga legjislacioni për njoftimin dhe konsultimin publik, ndërsa tekstet përfundimtare iu paraqitën Këshillit Tatimor vetëm pak kohë përpara dorëzimit në Parlament.

Ndryshime të kësaj natyre dhe përmase, të cilat parashikohet të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027, do të përfitonin nga një proces konsultimi i hershëm dhe transparent, duke u dhënë mundësi palëve të interesuara të paraqesin propozimet e tyre dhe bizneseve kohën e nevojshme për të përshtatur kontratat, sistemet, buxhetet dhe planet e investimit. Një kuadër tatimor i parashikueshëm mbetet një nga faktorët kryesorë që investitorët gjermanë dhe të huaj marrin në konsideratë kur vendosin se ku të investojnë”, theksohet në deklaratë.

Dispozita pa konsultim

DIHA vlerëson se projektpaketa e dërguar në Parlament ka marrë parasysh kërkesën e përfaqësuesit të saj në Këshillin Tatimor për të mos rritur normën e tatimit mbi fitimin e korporatave, duke dëshmuar qartë vlerën e dialogut. Megjithatë, paketa përfshin dispozita që nuk iu nënshtruan konsultimit, si trajtimi i huave ndaj ortakëve apo aksionarëve si dividendë të konsideruar.

“Dispozita të tilla, të cilat ndikojnë në financimin e përditshëm të shumë shoqërive tregtare, veçanërisht të grupeve të kompanive dhe bizneseve familjare, meritojnë të njëjtin diskutim të hapur si pjesa tjetër e paketës”, theksohet ndër të tjera.

Ndikimi në biznes dhe konsum

DIHA shpreh shqetësimin se këto masa financohen kryesisht përmes rritjes së taksave mbi biznesin dhe konsumin. Rritja e tatimit mbi dividendët, sipas saj, ul atraktivitetin e investimeve në kapital në Shqipëri dhe mund ta dobësojë pozicionin e vendit krahasuar me vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor, që konkurrojnë për të njëjtat investime, sidomos në sektorin industrial.

Rritja e normës standarde të TVSH-së ka gjasa të reflektohet në çmimet e konsumit dhe të zbehë pjesërisht përfitimin e pritshëm nga ulja e TVSH-së për produktet ushqimore. Ndërkohë, rritja e normës së TVSH-së për shërbimet turistike dhe ulja e pragut të regjistrimit për TVSH-në do të sjellin kosto shtesë për një sektor kyç të eksportit dhe për shumë biznese të vogla që ende nuk janë të përgatitura për këtë ndryshim.

Kostot më të larta do të ndikojnë edhe në konkurrueshmërinë e furnizuesve shqiptarë, përfshirë shumë anëtarë të DIHA-s, si dhe në mundësitë e tyre për t’u integruar në zinxhirët gjermanë dhe ndërkombëtarë të furnizimit. Të marra së bashku, këto rritje mund të kufizojnë burimet financiare të kompanive për riinvestime, modernizim dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë vlerësohet nga DIHA si një masë e rëndësishme sociale, por suksesi i saj do të varet nga fakti nëse përfitimi do t’u kalojë realisht konsumatorëve.

“Ulja e tatimit për të ardhurat e shtresës së mesme do t’i ndihmojë kompanitë të mbajnë në Shqipëri punonjësit e kualifikuar, ndërsa eliminimi i dorëzimit të dyfishtë të pasqyrave financiare është një hap i mirëpritur drejt reduktimit të burokracisë”.

Politika e gjelbër dhe propozimet

DIHA thekson se mbështet plotësisht rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe beson se përafrimi me BE-në duhet të përfshijë edhe një politikë fiskale të gjelbër, pasi dekarbonizimi qëndron në thelb të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

“Në këtë frymë, DIHA konsideron se, me heqjen e taksës së qarkullimit dhe transferimin e barrës së saj te taksa vjetore e mjeteve, automjetet elektrike duhet të përjashtohen plotësisht nga pagesa e taksës vjetore të mjeteve. Kjo do të sigurojë që kuadri i ri fiskal të nxisë lëvizshmërinë e pastër dhe të përcjellë një sinjal të qartë në mbështetje të tranzicionit të gjelbër të Shqipërisë.

Në të njëjtën linjë, si alternativë ndaj rritjes së normës standarde të TVSH-së në 21%, DIHA i propozon Qeverisë të shqyrtojë mundësinë e aplikimit të një norme të reduktuar të TVSH-së për energjinë elektrike, e cila në Shqipëri prodhohet pothuajse tërësisht nga burime të rinovueshme dhe për të cilën rregullat e BE-së lejojnë aplikimin e një norme të reduktuar tatimore. Kjo do të sillte përfitime të drejtpërdrejta për familjet dhe do të ulte kostot e energjisë për bizneset.

Thirrja për konsultim dhe periudhë tranzicioni

Për këto arsye, DIHA i bën thirrje me respekt Qeverisë dhe Parlamentit që të zhvillojnë një proces të plotë konsultimi mbi paketën përpara miratimit të saj, të rishikojnë afatet e zbatimit të rritjeve tatimore dhe të dispozitave që ende nuk janë konsultuar, si dhe t’u japin bizneseve një periudhë të arsyeshme tranzicioni për t’u përshtatur me ndryshimet.

DIHA dhe shoqëritë e saj anëtare mbeten të gatshme të kontribuojnë me përvojën dhe ekspertizën e tyre dhe të bashkëpunojnë me Ministrinë e Financave dhe Parlamentin për gjetjen e zgjidhjeve që mbështesin financat e shëndosha publike, një ekonomi shqiptare konkurruese dhe të gjelbër, si dhe rritjen e mëtejshme të investimeve dhe tregtisë gjermane me Shqipërinë”, thuhet në deklaratë.

Burimi: Monitor

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha