Nisja drejt pavarësisë ekonomike për gratë që kanë përjetuar dhunë në familje po bëhet përmes një nisme të re të Komunës së Prishtinës, e cila në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës ka siguruar 19 vende pune për këto gra.
Marrëveshja dhe qëllimi i saj
Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelina Sahiti, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se kjo marrëveshje është një hap konkret për t’u mundësuar grave viktima të dhunës në familje që të rimarrin kontrollin mbi jetën e tyre dhe të pavarësohen ekonomikisht.
Sahiti ka bërë të ditur se punësimi është pjesë e mbështetjes që kryeqyteti po ofron për këto gra, krahas ndihmës për banim, qira dhe kushte të jetesës, duke theksuar se gjatë procesit do të garantohen dinjiteti dhe konfidencialiteti i tyre.
“Ne dje filluam edhe 16 ditët e aktivizmit, në mënyrë formale me nënshkrimin e marrëveshjes së mirëkuptimit në mes të Komunës së Prishtinës dhe Odës Ekonomike të Kosovës. Është njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme për ne për të treguar dhe për të dëshmuar për punën që bën kryeqyteti Prishtina në mbështetje të të gjitha viktimave të dhunës në familje dhe viktimave me bazë gjinore”, ka thënë Sahiti.
Ajo ka theksuar se mbështetja e Komunës nuk kufizohet vetëm në punësim, por përfshin edhe ndihmën financiare për qira dhe kushte të jetesës, të cilën Prishtina e ofron tashmë për katër vjet për gratë që janë viktima të dhunës në familje.
“Kjo është një hap tutje konkret për të dëshmuar se këto gra, të cilat fatkeqësisht jeta i ka përplasur në të tilla situata, mund ta rimarrin sërish jetën e tyre në duar, mund të pavarësohen ekonomikisht, gjë e cila pastaj do të dëshmojë që ato mund të vazhdojnë jetën e tyre, pa marrë parasysh sfidave që kanë pasur në jetë”, ka deklaruar ajo.
Vendet e punës dhe përzgjedhja e grave
Sipas Sahitit, janë 19 vende pune të identifikuara fillimisht, në biznese të profileve të ndryshme, me të cilat Oda Ekonomike e Kosovës ka komunikuar dhe ka bërë përpjekje që të përshtaten me kërkesat për punësimin e këtyre grave.
Ajo ka thënë se në këtë proces, rëndësi të veçantë do t’i kushtohet qëndrueshmërisë së vendeve të punës, respektimit të dinjitetit të grave dhe ruajtjes së identitetit të tyre.
“Për ne ka qenë e rëndësishme që të ketë një qëndrueshmëri në këto vende të punës, që të respektohet dinjiteti i tyre, gjë që është e para e çdo veprimi që ne e bëjmë, të respektohet identiteti i tyre, të mbetet konfidencial identiteti i tyre për të gjithë palët e tjera të përfshira dhe sigurisht që të ofrohen ambiente të përshtatshme të punës për secilën prej tyre”, ka thënë Sahiti.
E pyetur se si do të bëhet përzgjedhja e grave që do të përfitojnë nga 19 vendet e punës, Sahiti ka bërë të ditur se Komuna do të mbështetet në të dhënat që posedon Drejtoria e Mirëqenies Sociale dhe Qendrat për Punë Sociale, për rastet që janë të referuara dhe që tashmë marrin mbështetje.
Ajo ka treguar se vetëm gjatë këtij viti, Komuna e Prishtinës ka mbështetur 29 gra viktima të dhunës në familje me banim, qira dhe kushte të jetesës, përmes ndihmës prej 500 eurosh në muaj për secilën, në rastet kur ato kanë urdhër mbrojtës nga gjykata.
“Ne tashmë në drejtorinë tonë kemi gra dhe përmes qendrave për punë sociale që referohen tek ne, gra të cilat janë viktima të dhunës në familje dhe mbështeten nga Komuna e Prishtinës, ne vetëm këtë vit kemi mbështetur 29 gra me banim, me qira, me kushte të jetesës, janë 500 euro në muaj që ofrojmë ne për një viktimë të dhunës në familje e cila ka një urdhër mbrojtës nga gjykata”, ka deklaruar Sahiti.
Ajo ka sqaruar se për këtë nismë nuk do të hapet konkurs, por do të kontaktohen gratë që janë pjesë e skemave të mbështetjes së komunës.
“Ne i kemi të dhënat të cilat i posedojmë dhe do t’i referojmë në bazë të këtyre të dhënave që ne i kemi, edhe përmes qendrave për punë sociale, por edhe në drejtori të cilat vijnë direkt dhe referohen tek ne si raste. Kështu që kjo do të jetë forma, nuk do të ketë një konkurs, nuk do të ketë një formë e tillë, por ne do të komunikojmë me të gjitha gratë që janë pjesë e mbështetjes që ne e ofrojmë si komunë”, ka thënë ajo.
Bashkëpunime të tjera dhe mbështetje shtesë
Sahiti ka bërë të ditur se përveç marrëveshjes me Odën Ekonomike të Kosovës, Komuna ka edhe bashkëpunime të tjera me biznese, përmes të cilave po mundësohet punësimi i grave që kanë përjetuar dhunë në familje.
Ajo ka përmendur bashkëpunimin me biznesin Mamamantia, ku pesë gra tashmë kanë filluar punën, ndërsa deri në fund të vitit pritet që numri i tyre të kalojë 10.
“E kemi me Mamamantin, që tashmë i kemi pesë gra të cilat veçse e kanë filluar punën dhe deri në fund të vitit do të bëhen mbi 10 gra të cilat do të hyjnë në tregun e punës përmes këtij biznesi”, ka thënë Sahiti.
Një tjetër iniciativë që pritet të konkretizohet nga Komuna e Prishtinës është edhe funksionalizimi i dyqanit social, ku do të ofrohen veshmbathje të reja për gratë viktima të dhunës në familje dhe fëmijët e tyre.
Sahiti ka thënë se kjo mbështetje synon të ndihmojë gratë dhe fëmijët që largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës, përfshirë edhe rastet kur shkojnë në stacion policor, ku do të mund të shoqërohen nga punëtorët socialë për të marrë rroba të reja.
“Ne tashmë do ta bëjmë edhe një risi tjetër, e që ndërlidhet me dyqanin tonë social, ku do të ketë veshmbathje për të gjitha gratë që janë viktima të dhunës në familje dhe për fëmijët e tyre, të cilat qoftë në momentin kur largohen nga shtëpia për shkak të rrethanave që janë krijuar, qoftë shkojnë në stacionin policor, punëtori social do të shkojë bashkë me të dhe do t’i marrin veshmbathje të cilat janë tërësisht të reja, rroba të reja”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, kjo do të jetë një tjetër formë e mbështetjes direkte për gratë që përballen me dhunën në familje.
Mbështetja gjatë integrimit në punë
Drejtoresha e Mirëqenies Sociale ka thënë se komuna do të kujdeset që gratë e punësuara të kenë mbështetje edhe gjatë procesit të integrimit në vendet e reja të punës, përmes këshillimit dhe kontaktit të vazhdueshëm me punëtorët socialë.
Ajo ka theksuar se qëllimi nuk është vetëm punësimi, por edhe krijimi i një ambienti ku gratë ndihen të sigurta dhe të përshtatshme me punën që bëjnë.
“Për ne është e rëndësishme jo vetëm punësimi i tyre, por që edhe ato të ndihen komod me punën që e bëjnë. Kjo për ne është më e rëndësishmja, kështu që do të përkujdesemi që gjithçka të shkojë mirë e mbarë, të jemi në kontakt, të jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha prej këtyre zonjave, përpara se në rast se diçka nuk shkon mirë siç duhet, që urojmë të mos ndodhë, po ne të jemi aty për to”, ka thënë Sahiti.
Ajo ka shtuar se nëse ndonjëra prej grave nuk ndihet mirë në vendin e punës, do të ketë mundësi që procesi të vazhdojë në një vend tjetër, duke mos e konsideruar këtë si problem.
“Po në momentin që gjërat mund të mos t’ju pëlqejë vendi i punës, ajo sigurisht do të jetë një proces i cili do të rrjedhë natyrshëm, nuk pëlqen, vazhdo dikund tjetër, nuk është ndonjë telashe e madhe. Ne po urojmë, që është e rëndësishmja, po urojmë që gjithçka të shkojë mirë e mbarë, intenca është e mirë, qëllimi ynë është i mirë dhe po shpresojmë që të finalizohet ashtu”, ka përfunduar Sahiti.
Deklarata e kryetarit të Prishtinës
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se memorandumi i bashkëpunimit është nënshkruar me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në bashkëpunim me Drejtorinë për Mirëqenie Sociale, të udhëhequr nga Adelina Sahiti.
Rama ka theksuar se kjo nismë synon të mbështesë punësimin dhe fuqizimin e grave që kanë përjetuar dhunë.
“Bashkë me Lulzim Rafunën, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, nënshkruam një memorandum bashkëpunimi për të mbështetur punësimin dhe fuqizimin e tyre. Kjo nismë, e ndërmarrë në bashkëpunim me Drejtorinë për Mirëqenie Sociale të Kryeqytetit, të udhëhequr nga Adelina Sahiti, është një nga hapat që po ndërmarrim për t’i mbështetur gratë që kanë përjetuar dhunë”, ka njoftuar Rama./EO/
Burimi: www.gazetaexpress.com










