Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Bota

Macron në Marsejë: Ruajmë Republikën dhe rendin pa gjendje të jashtëzakonshme

Macron në Marsejë: Ruajmë Republikën dhe rendin pa gjendje të jashtëzakonshme
Foto: reporteri.al

MARSEJË, 26 tetor /ATSH-AFP/ – Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi sot se republika dhe rendi publik po mbroheshin pa shpallur gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa theksoi se kjo masë nuk përjashtohej dhe nuk ishte tabu nëse situata do të përkeqësohej.

“Po mbrojmë sot Republikën dhe rendin publik pa shpallur gjendjen e jashtëzakonshme”, u shpreh kreu i shtetit pas një takimi me kryetarin e bashkisë së Marsejës, Benoit Payan.

“Ajo që po përjetojmë sot nuk mund të krahasohet me atë që përjetuam në verën e vitit 2023, gjatë trazirave urbane që pasuan vdekjen e të riut Nahel Merzouk”, shtoi ai.

Sipas tij, situata aktuale karakterizohet nga “një mobilizim shoqëror dhe politik”, i cili buron, nga njëra anë, nga mobilizimi i nxënësve të shkollave të mesme dhe, nga ana tjetër, nga rritja e kostos së jetesës.

Macron për rolin e rrjeteve sociale

Macron deklaroi gjithashtu në Marsejë se “rrjetet sociale po dëmtojnë demokracitë tona”, duke i përshkruar ato si “instrumente për mobilizimin e aspekteve më negative”, veçanërisht më 17 tetor, pasi ato krijojnë “një lloj shkëputjeje nga realiteti në perceptimin e dhunës”.

“Ato u përdorën, veçanërisht më datë 17, për të sjellë të rinj dhe persona më të moshuar në vendet ku kryheshin akte kriminale, sulme dhe plaçkitje”, deklaroi kreu i shtetit.

Ai e përshkroi situatën aktuale si një gjendje të karakterizuar nga “një konfuzion i madh, një lloj eksitimi i vazhdueshëm që po krijohet, si dhe një magjepsje ndaj dhunës”.

Protestat e paralajmëruara dhe masat për rendin

Macron vlerësoi se edhe e shtuna e ardhshme do të jetë sërish “një ditë me rrezik”, për shkak të protestave të paralajmëruara.

Ai bëri të ditur se itineraret e demonstratave do të mbeten jashtë qendrave të qyteteve, me qëllim mbrojtjen e “rendit”.

Presidenti, i cili vizitoi sot bashkinë e Marsejës, godinë që ishte pushtuar për një kohë të shkurtër nga protestuesit më 17 tetor, pranoi se autoritetet nuk e kishin parashikuar aspak atë ditë mobilizimi dhe se forcat e policisë nuk ishin angazhuar në numër dhe përmasa të përshtatshme me situatën./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha