Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Bota

Europa mirëpret fitoren e Lulës në Brazil, demokracia triumfoi

Europa mirëpret fitoren e Lulës në Brazil, demokracia triumfoi
Foto: gazetaexpress.com

Udhëheqësit evropianë kanë përshëndetur rizgjedhjen e Luiz Inacio Lula da Silvës si president i Brazilit. “Demokracia dhe multilateralizmi kanë fituar në Brazil”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Reagimi i liderëve evropianë

Liderët evropianë kanë mirëpritur rizgjedhjen e Lulës për një mandat të katërt presidencial, duke sfiduar parashikimet për një valë të djathtë në vendin më të populluar të Amerikës Latine dhe duke siguruar për Bashkimin Evropian një aleat të rëndësishëm, raporton euronews.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ishin ndër të parët që uruan Lulën për fitoren, me të cilin kishin bashkëpunuar ngushtë për arritjen e marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Mercosur-it.

Marrëveshja, e nënshkruar në janar me bllokun tregtar të Amerikës së Jugut, ku bëjnë pjesë Brazili, Argjentina, Paraguai dhe Uruguai, u konsiderua si një kundërpërgjigje ndaj tarifave ndëshkuese të presidentit amerikan Donald Trump.

Brukseli kishte frikë se rivali i Lulës nga e djathta, Flávio Bolsonaro, mund ta rrezikonte marrëveshjen, pasi kishte bërë thirrje që Brazili të çlirohej nga “prangat” e Mercosur-it dhe të ndiqte marrëveshje të pavarura tregtare, përfshirë edhe me Shtetet e Bashkuara.

“Urime mikut tim, Lula”, shkroi von der Leyen në rrjetet sociale.

Në urimet për Lulën u bashkuan edhe presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri holandez Rob Jetten dhe kryeministri portugez Luís Montenegro.

“Përballë sfidave të mëdha të kohës sonë, le ta forcojmë partneritetin tonë strategjik dhe ta kthejmë në realitet miqësinë mes dy vendeve tona, në shërbim të një bote më të drejtë”, deklaroi Macron.

Krahasimi i Sanchez me Spanjën

Pedro Sanchez, një nga liderët më të spikatur të së majtës në Evropë, e cilësoi rizgjedhjen e Lulës si një “fitore të madhe” dhe bëri një paralele me Spanjën, ku opozita konservatore kryeson në sondazhe përpara zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen muajin e ardhshëm.

“Ajo që ndodhi në Brazil do të ndodhë edhe në Spanjë. Rikthimi i progresizmit global sapo ka filluar”, deklaroi Sanchez.

Reagimet nga Evropa erdhën ndërsa rezultatet nga Brazili tregonin se Lula kishte siguruar një epërsi prej afro 4,4 milionë votash ndaj Bolsonaro-s, duke marrë 51,8% të totalit të votave.

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha