Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Brazilit ka urdhëruar hapjen e një hetimi lidhur me mundësinë e financimit nga burime të huaja të fushatës së kandidatit konservator Flavio Bolsonaro, i cili u mposht nga Luiz Inacio Lula da Silva në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të vendit.
Hetimi për ndërhyrje të huaja dhe media sociale
Gjyqtari Flavio Dino përmendi gjithashtu forma të tjera të mundshme ndërhyrjeje, duke përfshirë “manipulimin” e mediave sociale nga ana e Meta. Kompania mëmë e Facebook, WhatsApp dhe Instagram është akuzuar nga ekipi i Lulës për ndërhyrje në zgjedhje me qëllim që të ndikonte te votuesit në favor të kandidatit Bolsonaro.
Gjyqtari urdhëroi që hetimi të fokusohet në “origjinën, rrjedhën dhe destinacionin e mundshëm të fondeve të huaja”, sipas një vendimi gjyqësor që AFP ka parë, duke theksuar se kërkesa ishte bërë nga disa palë, përfshirë Presidentin Lula të Partisë së Punëtorëve.
Në veçanti, ai i kërkoi Policisë Federale të përcaktojë nëse Rrjeti Rockbridge, një grup konservator amerikan, “mori pjesë në negociata që synonin sigurimin e mbështetjes financiare për fushatën presidenciale të Flávio Bolsonaro”, ndërsa urdhëroi një hetim mbi dyshimet për “manipulim algoritmik nga kompanitë e internetit që synonte favorizimin ose dëmtimin e kandidatëve në procesin zgjedhor brazilian”.
Ekipi i fushatës së Lulës kishte paraqitur një ankesë në gjykatën zgjedhore, gjatë periudhës midis dy raundeve të zgjedhjeve, për përfshirjen e dyshuar të Metës, të cilën e akuzoi për kufizimin e shpërndarjes së përmbajtjes në platformat Instagram dhe WhatsApp.
Hetimi për pastrim parash dhe pasaportat
Duhet kujtuar se Flavio Bolsonaro është nën hetim për pastrim parash, ndërsa ai mohon çdo veprim të paligjshëm. Siç u zbulua dje, të hënën, policia i kishte kërkuar të dorëzonte pasaportat, pas një vendimi të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Alessandro de Moraes.
Megjithatë, ai nuk i dorëzoi ato policisë federale brenda afatit të caktuar nga gjykata, gjë që rezultoi në pavlefshmërinë e dokumenteve, sipas dy burimeve me njohuri për çështjen që folën sot për Reuters.
I rizgjedhur me 52% të votave të dielën, presidenti i krahut të majtë, gjatë fushatës zgjedhore, kishte akuzuar administratën e Presidentit të SHBA-së Donald Trump se po përpiqej të ndërhynte në zgjedhje.
Dje, të hënën, Trump i përshkroi zgjedhjet presidenciale në Brazil si “të manipuluara”, ndërsa pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare e uroi Lulën për rizgjedhjen e tij.
Burimi: euronews.al










