Një apartament u përfshi nga flakët sot në Elbasan. Shkaku dyshohet të jetë shpërthimi i një bombole gazi.
Shërbimet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve.

Viktima dhe të plagosurit
Nga ngjarja ka humbur jetën një grua 83-vjeçare, e cila ndodhej në apartamentin tjetër. Tetë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Sipas burimeve nga Report TV, një person ende nuk është gjetur, ndërsa personat e asfiksuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njofton se tetë persona, mes tyre një fëmijë, po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Rajonal Elbasan. Ekipet e urgjencës janë në gatishmëri të plotë, ndërsa spitali ka mobilizuar kapacitetet e nevojshme për trajtimin dhe monitorimin e gjendjes shëndetësore të të lënduarve. Informacioni mbi gjendjen e pacientëve do të përditësohet në vijim.

Reagimi i banorëve
Banorë të zonës kanë thënë se janë tronditur nga shpërthimi. “Ishte një shpërthim si bombë, edhe pallati jonë u trondit, ishte shpërthim shumë i madh. Dëmi është shumë i madh, ishte e frikshme”, shprehën ata.
Burimi: shqiptarja.com










