Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Shpërthim në Elbasan, humb jetën 83-vjeçari

Shpërthim në Elbasan, humb jetën 83-vjeçari
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Një 83-vjeçare ndërroi jetë si pasojë e një shpërthimi që ndodhi sot në një pallat në qytetin e Elbasanit, ndërsa tetë persona të tjerë u plagosën. E moshuara banonte në apartamentin ngjitur me atë ku ndodhi shpërthimi.

Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në ndërtesë, duke shembur muret e apartamentit dhe një pjesë të shkallëve të pallatit. Menjëherë pas ngjarjes, strukturat e emergjencës nisën evakuimin e banorëve.

Gjendja e të plagosurve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njoftoi se sipas të dhënave paraprake, 8 persona, mes tyre një fëmijë, po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Rajonal Elbasan.

“Fatkeqësisht, nga ngjarja ka humbur jetën një 83-vjeçar, i cili është gjetur i pajetë në vendngjarje. Ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri të plotë, ndërsa Spitali Rajonal Elbasan ka mobilizuar kapacitetet e nevojshme për trajtimin dhe monitorimin e gjendjes shëndetësore të personave të lënduar”, njoftoi MSHMS.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në koordinim me strukturat përkatëse, bëri të ditur se po ndjek nga afër situatën për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit të nevojshëm shëndetësor.

Gjithashtu sipas MSHMS-së, informacioni mbi gjendjen shëndetësore të pacientëve do të përditësohet në vijim, bazuar në vlerësimet e ekipeve mjekësore.

Ndërhyrja e forcave të emergjencës

Në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse, policia dhe ekipet e emergjencës, të cilat ndërhynë për evakuimin e banorëve dhe për shuarjen e zjarrit në apartamentin ku ndodhi shpërthimi.

Godina u evakuua plotësisht, ndërsa operacionet e emergjencës vijuan për menaxhimin e situatës dhe verifikimin e pasojave. Ndërkohë, priten detaje të tjera lidhur me rrethanat dhe shkaqet e shpërthimit tragjik.

/m.q/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha