Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Danimarka ndalon telefonat në shkolla pas rezultateve të dobëta në PISA

Danimarka ndalon telefonat në shkolla pas rezultateve të dobëta në PISA
Foto: ata.gov.al

KOPENHAGË, 23 nëntor /ATSH-DPA/- Qeveria daneze po përgatit ndalimin e telefonave inteligjentë në shkolla, duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor, pas rezultateve historikisht të dobëta të nxënësve danezë në testimin e fundit ndërkombëtar PISA.

Çfarë parashikon ndalimi

Sipas deklaratës së qeverisë, ndalimi do të përfshijë telefonat inteligjentë dhe pajisjet e tjera me akses në internet, deri në përfundim të klasës së 10-të, si dhe në qendrat e kujdesit pas shkollës.

Pas arritjes së një marrëveshjeje me partitë e tjera politike, qeveria pritet të paraqesë një projektligj gjatë seancës aktuale parlamentare.

“Fëmijët duhet të jenë në gjendje të shkojnë në shkollë, pa u shpërqendruar vazhdimisht nga rrjetet sociale, blerjet në internet apo lojërat”, deklaroi ministri i Arsimit, Magnus Heunicke.

Qeveria parashikon gjithashtu, që shkollat të detyrohen të përdorin filtra në rrjetet e internetit, për të bllokuar aksesin në faqet që nuk kanë lidhje me mësimin apo veprimtaritë edukative.

Rregullat aktuale

Telefonat janë tashmë të ndaluar në shumë shkolla në Danimarkë.

Vitin e kaluar, parlamenti u kërkoi shkollave të hartonin rregullat e tyre, për të krijuar mjedise pa telefona në arsimin fillor dhe në qendrat e kujdesit pas shkollës, deri në klasën e tretë.

Ndryshe nga rregullat e vitit të kaluar, ndalimi i ri i miratuar nga qeveria do të jetë i detyrueshëm dhe do të zbatohet deri në përfundim të klasës së 10-të.

Mënyra se si do ta zbatojnë këtë masë do të përcaktohet nga vetë shkollat.

Testi PISA

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), i cili riktheu debatin në Danimarkë për përdorimin e telefonave inteligjentë në shkolla, mat aftësitë e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë.

Testimi organizohet nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) çdo tre vjet. //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha