TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Etnografik Krujë vazhdojnë të jenë ndër destinacionet më të rëndësishme të turizmit historik dhe kulturor në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga këto dy muze, të cilët tërheqin interesin e turistëve që vizitojnë Krujën, qoftë vendas apo të huaj.
“Muzeu i Krujës, ndër destinacionet më të frekuentuara të trashëgimisë sonë historike me 200 mijë vizitorë në vit”, shkruan Rama.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. Vendosur në brendësi të rrënojave të kalasë shekullore të Krujës, muzeu u hap në vitin 1982. Ndërtesa është konceptuar si një fortesë e një kështjelle mesjetare shqiptare, me një fokus kryesor në dokumentimin e jetës dhe veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit kombëtar të vendit.
Muzeu Etnografik i Krujës
Muzeu Etnografik i Krujës ka gjithsej 15 dhoma, secila me funksionin, kompozimin dhe simbolikën socio-etnografike përkatëse. Shumë vizitorë, vendas dhe të huaj, e vizitojnë Muzeun Etnografik si pjesë të rëndësishme të turit të tyre në qytetin historik të Krujës.
Turizmi në Krujë
Kruja njihet për turizmin historik njëditor, por me shtimin e strukturave akomoduese, turistët po qëndrojnë më gjatë në këtë qytet historik. Pazari karakteristik i Krujës, me rrugicat e ngushta me kalldrëm ku ofrohen punime artizanale tradicionale, është një nga destinacionet e preferuara të turistëve. Por turistët nuk largohen nga Kruja pa vizituar edhe Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë.
/k.s/
Burimi: ata.gov.al









