TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Lugina e Valbonës mbetet një nga perlat e turizmit malor shqiptar, duke u ofruar vizitorëve një përvojë të veçantë qetësie, natyre të paprekur dhe pamjesh mbresëlënëse.
Ngjyrat e vjeshtës e bëjnë këtë destinacion edhe më tërheqës, duke e kthyer atë në një kartolinë natyrore të Alpeve shqiptare.
Pamjet e Valbonës në vjeshtë
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje spektakolare nga Valbona gjatë kësaj stine, kur pyjet krijojnë kontrast të bukur me majat madhështore të maleve.
Pyjet e ahut dhe të gështenjës, të ndërthurura me masivet halore të pishës, bredhit dhe hormoqit, formojnë një mozaik natyror ngjyrash gjatë vjeshtës.
Një spektakël ngjyrash në zemër të Alpeve
E vendosur në zemër të Alpeve Shqiptare, lugina e Valbonës ofron një spektakël ngjyrash. Pemët kanë marrë tashmë nuanca të arta, të kuqe dhe portokalli, duke krijuar një peizazh mbresëlënës që tërheq vëmendjen e vizitorëve dhe adhuruesve të natyrës.
Vjeshta është një periudhë e veçantë për të eksploruar këtë zonë, përmes shëtitjeve në natyrë, fotografimit të peizazheve dhe njohjes me traditat lokale.
/m.m/
Burimi: ata.gov.al










