Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Google nën kritika: Shkollat që çaktivizojnë AI mund të humbasin Search

Google nën kritika: Shkollat që çaktivizojnë AI mund të humbasin Search
Foto: kultplus.com

Google ka prezantuar ndryshime në politikat e përdorimit të inteligjencës artificiale në shkolla, duke u dhënë institucioneve arsimore më shumë kontroll mbi mjetet digjitale që mund të përdorin nxënësit. Megjithatë, një nga kushtet e reja ka ngjallur debat: shkollat që vendosin ta çaktivizojnë plotësisht inteligjencën artificiale mund të humbasin edhe qasjen në Google Search.

Ndryshimet u shpallën përmes një njoftimi në blogun zyrtar të Google për arsimin. Kompania njoftoi gjithashtu se do të sjellë një mjet të ri të inteligjencës artificiale, të quajtur “Guided Learning”, i cili synon të ndihmojë nxënësit gjatë procesit të të mësuarit përmes Google Search dhe Google Classroom.

Kushti që ngre pyetje

Chris Phillips, zëvendëspresident i Google për arsimin, u shpreh për gazetën “The New York Times” se kërkimi në internet dhe inteligjenca artificiale janë tashmë të integruara ngushtë. Sipas tij, nëse një shkollë vendos ta ndalojë plotësisht inteligjencën artificiale, nxënësit nuk do të kenë qasje as në Google Search dhe do të shohin një njoftim që tregon se shërbimi nuk është i disponueshëm.

Kjo politikë vjen në një kohë kur prindërit dhe një pjesë e mësimdhënësve shprehin shqetësime për përdorimin e inteligjencës artificiale në klasa. Në shtator, qytetet e Nju-Jorkut dhe Los Anxhelosit njoftuan plane për të kufizuar qasjen në këto mjete përmes pajisjeve shkollore.

Argumentet e kompanisë dhe kritikat

Google argumenton se ndryshimet synojnë t’u japin shkollave më shumë kontroll mbi përdorimin e teknologjisë nga nxënësit. Megjithatë, vendimi për të lidhur çaktivizimin e inteligjencës artificiale me humbjen e qasjes në motorin e kërkimit ka ngritur pikëpyetje për lirinë e zgjedhjes së institucioneve arsimore.

Kritika ndaj kompanisë ka ardhur edhe nga Lina Khan, ish-kryetare e Komisionit Federal të Tregtisë në SHBA gjatë administratës Biden. Ajo akuzoi Google se po përdor pozitën e saj dominuese për të ushtruar presion ndaj shkollave që të pranojnë përdorimin e inteligjencës artificiale.

Sqarimi i Google

Pas reagimeve, Google publikoi një sqarim në rrjetin social X, duke theksuar se ndryshimet u japin shkollave më shumë zgjedhje dhe jo më pak. Kompania bëri të ditur se Gemini, Gemini Notebook dhe Google Search do të jenë fillimisht të çaktivizuara, ndërsa shkollat do të mund të vendosin në mënyrë të pavarur nëse dëshirojnë të aktivizojnë njërin, dy apo të gjitha këto shërbime.

Me këto ndryshime, Google synon të zgjerojë përdorimin e inteligjencës artificiale në arsim, ndërsa debati për ndikimin e saj në mësimdhënie dhe në të ardhmen e nxënësve vazhdon të jetë i hapur./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha