Katër persona janë arrestuar dhe shtatë të tjerë janë procedua penalisht pas protestës së djeshme në Tiranë, ku pati përplasje me policinë, hedhje gurësh e molotovësh dhe djegie të kazanëve të mbeturinave. Policia ka vendosur gjithashtu 12 masa administrative, mes tyre një gjobë prej 500 mijë lekësh për një protestues të maskuar që goditi me gurë efektivët dhe godinën e Kryeministrisë.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
Sipas Policisë së Shtetit, protestuesit kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë me sende të forta dhe lëndë piroteknike, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash. Janë arrestuar katër shtetas dhe shtatë të tjerë janë procedua penalisht.
Gjatë veprimeve hetimore, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, u sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis, një send metalik shpues, mjete për hedhjen e gurëve dhe sferave metalike, një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera.
Policia vendosi gjithashtu 12 masa administrative në bazë të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, pika 2 e nenit 24/1, njëra prej të cilave me vlerë 500 mijë lekë.
Të arrestuarit dhe masa ndaj protestuesit të maskuar
Të arrestuarit janë K. N., 24 vjeç, M. K., 19 vjeç, B. M., 19 vjeç dhe Z. N., 34 vjeç. Gjatë kontrollit fizik, K. N. ka qenë me një sasi kanabisi dhe një send metalik shpues, ndërsa gjatë kontrollit të banesës iu gjetën imituesi i armës dhe 50 sferat.
Gjobë prej 500 mijë lekësh u vendos ndaj një shtetasi të maskuar me kapuç, i cili goditi me gurë punonjësit e Policisë dhe godinën e Kryeministrisë, pavarësisht disa thirrjeve për ndërprerjen e dhunës dhe shpërndarjen e tubimit.
Specialistët e Hetimit të Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vazhdojnë dokumentimin e plotë të veprimeve të paligjshme, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe marrjen e masave ligjore ndaj tyre. Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Burimi: shqiptarja.com










