Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Komedia Dashuri, Paqe, Para sjell skenën e Lezhës me Edison Lleshin

Komedia Dashuri, Paqe, Para sjell skenën e Lezhës me Edison Lleshin
Foto: rtsh.al

Komedia “Dashuri, Paqe, Para”, me regji të Edison Lleshit, u shfaq në skenën e Pallatit të Kulturës në Lezhë. Me humor, batuta dhe situata të papritura, vepra trajton në mënyrë komike marrëdhëniet njerëzore, dashurinë dhe paranë përmes historisë së tre personazheve. Salla ishte e mbushur me artdashës, ndërsa trupa artistike synon ta çojë shfaqjen edhe në qytete të tjera të vendit.

Aktorja Zhoana Karaj shprehu emocionet e saj pas shfaqjes: “Përcolla emocione, të qeshura, dashuri dhe, pse jo, edhe një lloj shprese se të rinjtë e duan teatrin, se kanë edhe ata një lloj brumi artistik apo talenti dhe se do të vijnë sa më shumë për të parë këtë shfaqje”.

Edhe aktori Anxhelo Hysenaj vlerësoi përvojën: “Perfekt për aktorët dhe për të gjithë stafin që kemi pasur. Sa i përket mesazhit, mendoj se është përcjellë, pasi trajton një faktor që ndikon shumë në shoqërinë tonë, përplasjen mes materializmit dhe traditës. Publiku ishte i mrekullueshëm, na priti shumë mirë dhe energjia ishte fantastike”.

Regjisori Edison Lleshi vlerësoi punën dhe përkushtimin e gjithë trupës artistike. “Objektivi ishte premiera. Ia arritëm dhe jemi shumë të lumtur, sepse kemi arritur një rezultat shumë të mirë. Shfaqja u prit mirë nga publiku, i cili ishte i pranishëm në numër të madh, ndërsa duartrokitjet ishin të zjarrta”, tha ai, duke njoftuar se shfaqja do të vazhdojë rrugëtimin në qytete të tjera, përfshirë Tiranën.

Komedia është gjithashtu fryt i mbështetjes së Bashkisë Lezhë, përmes Thirrjes për Projekte Kulturore, një nismë që synon t’i japë hapësirë krijimtarisë artistike dhe të sjellë më shumë jetë në skenën kulturore të qytetit.

/rtsh.al/

Burimi: rtsh.al

Të fundit Të gjitha