Nga Gëzim Kabashi
Në sheshin antik të Piana degli Albanesi në Siçili, Nicola Petta shërben në kafenenë e tij “Extrabar” edhe me lekë shqiptarë, ndërsa mbi banak janë reklamuar gjithashtu produkte shqiptare.
Vizitorët nga Kosova dhe Shqipëria
Në biznesin e tij vijnë më shumë vizitorë nga Kosova, por me hapjen e një linje direkte Tiranë–Palermo dhe kthim, kanë nisur të shtohen edhe ata nga Shqipëria.
“Shumica e turistëve deri tani janë kosovarë, dhe ne urojmë që të shtohet numri i atyre që vijnë nga Shqipëria,” thotë Nicola, duke shtuar se vizitorët habiten me gjuhën arbëreshe që ata vazhdojnë ta flasin.
“Sidoqoftë, 200 vizitorë që mbërritën disa ditë më parë janë një fillim i mirë,” theksoi ai.
Qyteza e Piana degli Albanesi, e njohur ndryshe si “Hora e Arbëreshëve”, u themelua 538 vjet më parë nga një grup refugjatësh shqiptarë që u larguan nga Ballkani për shkak të pushtimit osman.
Linja ajrore dhe projekti turistik
Linja direkte ajrore është pjesë e projektit për nxitjen e turizmit drejt komunave me shumicë arbëreshe, i cili synon gjithashtu të shtrihet në qendra të tjera arbëreshe në Kalabri, Pulia apo Basilikata.
Turistët shqiptarë qëndrojnë në bujtinat e ngritura në Piana jo më shumë se dy ditë, pasi i kushtojnë kohë edhe vizitës në Palermo.
Veli Berisha, një inxhinier 42-vjeçar që jeton dhe punon në Bernë, thotë se shoqata “Hora e Skënderbeut” në Zvicër po mbështet zhvillimin e turizmit në komunat arbëreshe në Siçili.
“Mësimi i gjuhës shqipe në shkolla është një nga këto synime, pasi më siguri do t’i forcojë lidhjet me tokën amë,” tha Veli. Vetëm një muaj më parë, në festivalin “Tri Net Fest” të zhvilluar në Zvicër, filmi “Primo sangue” i regjisorit arbëresh Antonio La Camera u shpall filmi më i mirë.
Giorgio Cuccia, një nga aktivistët e turizmit në Piana, i tha BIRN-it se vizitorët janë mjaft të interesuar të shohin kishat e qytezës, veçanërisht ato kushtuar Shën Gjergjit dhe Shën Mitrit.
Përpjekjet për linjën Tiranë–Palermo
Përpjekjet për vënien në funksionim të linjës Tiranë–Palermo kanë nisur gati 10 vjet më parë, me kontributin edhe të shqiptarëve në Siçili, si Vincenzo Lombardo.
Lombardo, president i Legambiente në Palermo, i tha BIRN-it se ky vektor është i pari për destinacionin Tiranë–Palermo. Ai shton se bashkëpunimi mes shqiptarëve që u vendosën në ishull pas viteve ’90 dhe arbëreshëve është tepër i rëndësishëm, në mënyrë që e ardhmja e turizmit të mos zbehet.
Sipas Vincenzo Lombardos, përparësitë natyrore të pesë bashkive arbëreshe pranë Palermos krijojnë mundësi festash të përbashkëta, sipas karakteristikave të secilës prej tyre.
Lorenzo Lonoce, këshilltar i bashkisë së San Marzanos në Pulia, tha për BIRN-in se bashkëpunimi mes komunave arbëreshe, kudo që ndodhen, dhe realizmi i projekteve të përbashkëta bëhen mjaft të rëndësishme për të ardhmen.
Sipas Lonoces, më 9 nëntor në San Marzano, presidenti i Italisë, Mattarella, dhe ai i Shqipërisë, Begaj, do të takojnë edhe drejtues të komunave arbëreshe, ku pritet të ketë edhe një program të përbashkët për të ardhmen e komunitetit.
Lonoce shtoi se komunat e San Marzanos dhe Pianës kanë nënshkruar tashmë një marrëveshje binjakëzimi, duke “u mbështetur në praninë historike të arbëreshëve në Itali dhe në gjuhën e kulturën e përbashkët që i bashkon këto komunitete”.
“Nga 50 ngulime arbëreshe, më shumë se 35 prej tyre janë komuna, të cilat mund të kenë një program të përbashkët të financuar nga shteti edhe për turizmin,” tha Lonoce, duke shtuar se deri tani bashkitë arbëreshe janë ndalur vetëm në një farë vetëpromovimi për veçantitë e secilës.
Në bashkinë e Pianës, pranë Palermos, ekziston një traditë e mirë me kostumet, qëndismat dhe festën e Pashkës, ku kanë marrë pjesë edhe artistë shqiptarë.
“Ditën e Pashkës do t’i bashkohemi edhe ne shqiptarët e Zvicrës, bashkë me familjet. Prej kohësh kemi lënë takim në Piana degli Albanesi, ku me siguri na pret një festë e bukur,” tha Berisha nga Berna.

Burimi: tirananews.al









