Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Teknologji

Tesla planifikon Cybercab-in në Teksas, e ardhmja e Cybertruck-ut është e paqartë

Tesla planifikon Cybercab-in në Teksas, e ardhmja e Cybertruck-ut është e paqartë
Foto: albeu.com

Gjatë vitit të ardhshëm, Tesla pritet të pakësojë dhe më pas të ndalojë prodhimin e Cybertruck-ut elektrik në fabrikën e saj në Teksas, për të lënë hapësirë për prodhimin e Cybercab-it. Drejtori ekzekutiv Elon Musk tha se ky vendim synon të rrisë kapacitetet për automjetet pa shofer.

Të ardhmen e modelit

Nuk është e qartë nëse prodhimi i Cybertruck-ut do të ndalet plotësisht apo do të transferohet në një fabrikë tjetër, pasi Musk nuk dha hollësi për këtë çështje. Inxhinieri kryesor i projektit, Wes Morrill, lejoi të kuptohet se modeli mund të mos prodhohet më. Në rrjetin social X, ai e përshkroi Cybertruck-un si një platformë të jashtëzakonshme për zhvillimin e teknologjisë dhe tha se trashëgimia e tij do të vazhdojë te Cybercab.

Reagimet dhe shitjet

Cybertruck-u, me formë këndore dhe pamje të pazakontë, fitoi shumë admirues të Tesla-s. Megjithatë, lansimi i tij në vitin 2023 erdhi pas shumë vonesash, ndërsa shitjet që pasuan mbetën nën pritshmëri. Njoftimi për të ardhmen e modelit nxiti reagime në internet: disa fansa shprehën keqardhje dhe e quajtën atë automjetin më të mirë që Tesla ka prodhuar ndonjëherë.

Duke iu përgjigjur një përdoruesi që e cilësoi Cybertruck-un modelin më të mirë të kompanisë, Musk u pajtua, por theksoi se automjetet e këtij modeli që janë tashmë në qarkullim do të vazhdojnë të përdoren për një kohë të gjatë. Aksionet e Tesla-s u rritën me 4.7% të premtën, pas njoftimit.

Cybercab-i dhe fokusi i ri

Për Musk, Cybertruck-u ka qenë ndër projektet më personale. Edhe muajt e fundit, ai e kishte vlerësuar si produktin më të mirë të Tesla-s deri më sot. Tani kompania duket se po e përqendron vëmendjen te Cybercab-i, i projektuar për të transportuar pasagjerë pa drejtues njerëz.

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha