Specialistët për Hetimin e Krimeve në Volum, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Durrës, pas një pune hetimore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, arritën të dokumentojnë veprimtarinë kriminale të autorëve të dyshuar të vjedhjes së banesës së shtetasit A. G., në lagjen nr. 4, Durrës.
Bazuar në provat e siguruara, në kuadër të operacionit policor të koduar “Objektivi”, u identifikuan, u lokalizuan, u kapën dhe u ndaluan shtetasit:
A. R., 51 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, dhe S. L., 24 vjeçe, banuese në Lushnjë.
Vjedhja e banesës dhe rrjedha e sendeve
Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi A. R. dyshohet si autor i vjedhjes së banesës së shtetasit A. G., nga ku dyshohet se janë marrë rreth 22 000 euro, 800 000 lekë, ora dore të markave të shtrenjta, bizhuteri të ndryshme, parfume, çanta të markave të shtrenjta dhe sende të tjera me vlerë.
Po sipas hetimeve, shtetasi A. R. i ka çuar sendet e vjedhura në banesën e shtetases S. L., në Lushnjë. Kjo e fundit kishte dijeni për vjedhjen dhe ka bashkëpunuar me të për realizimin e saj.
Sekuestrimet dhe provat
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e kësaj shtetaseje, u gjetën dhe u sekuestruan, si prova materiale, një pjesë e sendeve të vjedhura.
Ndërsa në banesën e shtetasit A. R. u gjetën dhe u sekuestruan mjetet me të cilat ka kryer vjedhjen, maska, çelësa dhe veshjet e përdorura gjatë kryerjes së saj.
Vijimi i hetimit
Në bashkëpunim me Prokurorinë, puna vijon për gjetjen e pjesës tjetër të sendeve dhe parave të vjedhura nga banesa e shtetasit A. G., si dhe për dokumentimin me prova ligjore të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim.
Burimi: euronews.al










