Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka publikuar një video ku dy helikopterë shkatërrojnë një shtëpi të madhe në pjesën veriore të Port-au-Prince. Mediat haitiane e kanë identifikuar atë si banesën e Jeff Larose, një nga udhëheqësit më të fuqishëm të bandave kriminale në Haiti.
Nuk dihet ende nëse Larose ndodhej brenda shtëpisë në momentin e bombardimit apo nëse ka humbur jetën gjatë sulmit.
“Dhurata ime për popullin e Haitit në përvjetorin e Betejës së Vertier”, shkroi presidenti, duke iu referuar betejës së vitit 1803 që ndihmoi në sigurimin e pavarësisë së Haitit nga Franca dhe e bëri atë republikën e parë të zezë në botë.
Kush është Jeff Larose
Jeff Larose konsiderohet si një nga krerët më të fuqishëm të bandave në Haiti. Emri i tij i vërtetë është Jeff Larose, por ai njihet edhe si Jeff Canaan, Jeff Gwo Lwa dhe Taliban. Sipas Kombeve të Bashkuara, prej kohësh ai kontrollon një komunitet të quajtur Canaan në veri të Port-au-Prince dhe drejton një bandë me rreth 200 anëtarë.
Ky është sulmi i dytë ndaj banesës së një udhëheqësi kriminal, pas operacionit kundër Lanmò San Jou, udhëheqësit të 400 Mawozo-ve. Të dy krerët ishin aleatë dhe konsiderohen si dy nga drejtuesit kryesorë kriminalë në kryeqytet.
Reagimi në Haiti
Vendosja e forcave ushtarake të El Salvadorit u shoqërua gjithashtu me protesta masive nga haitianët, të cilët shprehën mbështetje për goditjen ndaj bandave.
Burimi: www.albeu.com









