Kanibalizëm dhe sakrifica njerëzore për pasuri e fat të mirë, magjistarët në Ugandë tmerrojnë me ritualet: U kërkojnë klientëve të pinë gjak dhe të hanë mish njeriu
Premtimet për pasuri, fat të mirë dhe një jetë më të begatë po përdoren nga disa magjistarë në Ugandë për të joshur njerëz drejt ritualeve të tmerrshme, që përfshijnë konsumimin e gjakut dhe mishit të njeriut. Kjo praktikë e frikshme dyshohet se ka lidhje me vrasje brutale, përdhunime dhe sakrifica fëmijësh, të kryera nën pretekstin e ceremonive mbinatyrore. Sipas gazetës britanike “The Sun”, këto raste kanë prekur prej vitesh disa zona të Ugandës, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se përmasat e fenomenit mund të jenë shumë më të mëdha nga sa dihet deri më tani.
Besimet në magji dhe në fuqitë shpirtërore janë të përhapura edhe në vende të tjera të Afrikës Subsahariane, përfshirë Nigerinë dhe Malavinë. Ato bazohen në idenë se njerëzit mund të komunikojnë ose të ndërveprojnë me forca të mbinatyrshme për të fituar favorin e tyre, për të siguruar begati apo për të shmangur fatkeqësitë.
Roli i magjistarëve dhe pretendimet e tyre
Një rol të rëndësishëm në këtë praktikë luajnë magjistarët, disa prej të cilëve pretendojnë se kanë njohuri dhe fuqi të veçanta për të ndikuar në fatin e njerëzve. Sipas Dr. Leo Higue, aktivist i të drejtave të njeriut dhe drejtor i organizatës “Avokim për Shtrigat e Supozuara” (AfAW), disa prej tyre i shtyjnë klientët drejt veprimeve ekstreme, duke i bindur se vetëm përmes ritualeve të tilla mund të shpëtojnë nga problemet ose të arrijnë suksesin e dëshiruar.
Në një deklaratë për “The Sun”, Higue tregoi se ka pasur raportime për persona që kanë vrarë edhe familjarët e tyre dhe më pas kanë pirë gjakun e tyre, pasi u ishte thënë se kjo ishte mënyra e vetme për të shmangur fatkeqësitë.
“Ka raportime për disa njerëz që kanë vrarë të afërmit e tyre dhe kanë pirë gjakun e tyre, sepse kanë qenë në vende ku u është thënë: ‘Nëse nuk e bëni këtë, nuk do të jeni në gjendje t’i shpëtoni problemeve’”, u shpreh ai.
Shëruesit tradicionalë dhe rreziku i manipulimit
Shëruesit tradicionalë, siç preferojnë të quhen magjistarët, janë pjesë e historisë dhe kulturës së Ugandës. Ata konsultohen rregullisht nga qytetarë të thjeshtë, por edhe nga politikanë, të cilët kërkojnë këshilla për të ardhmen, shëndetin apo për të siguruar fat të mirë.
Megjithatë, Dr. Higue paralajmëron se një pjesë e këtyre personave shfrytëzojnë besimin e njerëzve për t’i manipuluar dhe për t’i përfshirë në praktika kriminale. Sipas tij, disa magjistarë ekstremë pretendojnë se kanë njohuri hyjnore dhe aftësinë për të identifikuar njerëzit që, sipas tyre, janë të mallkuar dhe duhet të dënohen me vdekje.
Eksperti thekson se këto pretendime mund të shërbejnë si justifikim për akte të rënda dhune, ndërsa paralajmëron se rastet e bëra publike mund të përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të një fenomeni shumë më të gjerë.
Burimi: www.balkanweb.com










