Nga Adrian Thano
Fatos Tarifa është diagnostikuar me tumor. Sapo ka kryer një ndërhyrje të rëndë kirurgjikale. Ditë të vështira që peshojnë për të, familjen e tij dhe për këdo që e ka pranë në jetë.
E qeshura me të cilën ma tha sëmundjen e tij rreth dy javë më parë më ka lënë pa fjalë. Mënyra si e ka përballuar në ditët në vijim më ka befasuar. Para se të hynte në sallën e operacionit, por edhe kur doli prej saj, ka vazhduar të flasë sikur të ishte duke luftuar gripin e jo kancerin. Një forcë e rrallë karakteri që as bisturia nuk e ndaloi. Shkruan e prapë shkruan, duke sfiduar lutjet dhe këshillat për t’u kujdesur për shëndetin.
Jetojmë kohë të turbullta. Fjala publike matet me kandarët e interesit të çastit. Në këtë pafundësi zhurme, Fatos Tarifa është një nga zërat më kurajozë, nga të paktët intelektualë vërtet të majtë, familjarisht, në formim dhe në bindje, që nuk ka ngurruar t’i thotë ato të vërtetat e hidhura që edhe të tjerët i dinë mirë. I dinë, por kanë zgjedhur të heshtin nga turpi, nga frika apo nga komoditeti.
Këto të vërteta të thjeshta, por kaq të vështira për t’u thënë, na rikujtojnë se, pavarësisht sa xhamllëk, asfalt, vila, sende apo luks kemi sot për të treguar e për t’u mburrur, shoqëria jonë po bën përsëri një hap të madh prapa. Të njëjtat gabime të së kaluarës.
Ka edhe një detaj në këtë histori, që flet më shumë se çdo fjalim për dinjitetin. Fatosi është shtruar dhe operuar në QSUNT. Aty ka padyshim edhe profesionistë shumë të zotë, por fjalën e kam për një kontrast të heshtur, therës, që nxjerr në pah fytyrën e vërtetë të shoqërisë sonë.
Fatosi po ndan të njëjtin fat me qytetarët e thjeshtë. Më vjen në mend një listë e gjatë emrash, qesharakë e mediokër, lëpirës të përhershëm të garës politike, tipa që s’kanë as dinjitet, as parime, veç oreks për katandi, rraqexhinj mjeranë që të kujtojnë Çinçin e Gogolit dhe kazanxhinjtë e Migjenit e Dritëroit, mishërim i grykësisë, teprisë dhe kënaqësisë provinciale pa fre.
Çfarë bëjnë këta? Ata bëjnë kërdi me moralin dhe i thurin lavde në ekrane sistemit ku jetojmë. Por sapo shfaqen hallet e shëndetit, braktisin “parajsën” dhe ia mbathin për t’u kuruar në klinikat e shtrenjta private ose jashtë vendit. Nuk është çështja ku kurohen. Është çështja e paçavurës që ke brenda, mes asaj që predikon për të tjerët dhe asaj që zgjedh për veten, kur vjen dita e provës.
Teksa mendoj betejën shëndetësore të Fatosit, kujtoj me dhimbje sa shumë humbje të rënda ka pësuar kjo redaksi ndër vite: mendje fisnike si Moikomi, Andrea Stefani, Arben Duka dhe të tjerë, bashkëpunëtorë e njerëz të mirë që lanë pas gjurmë shpirti të papërkulur. Falë trashëgimisë së tyre kjo gazetë modeste ka vazhduar të qëndrojë majtas dhe e lirë, pavarësisht kostove të mëdha dhe pavarësisht se jo të gjithë për momentin arrijnë ta kuptojnë peshën e kësaj qëndrese.
Revanshi i gënjeshtrës, ai marshim i egër i mediave “të mëdha” që paguhen mirë për ta bërë të zezën të bardhë dhe për ta mbajtur nën sundim mendjen e njerëzve, është sot më i pranishëm se kurrë. Pikërisht për këtë, zëra si ai i Fatos Tarifës janë të pazëvendësueshëm dhe të çmuar.
Redaksia i uron profesorit, mikut dhe bashkëpunëtorit tonë të palodhur shërim të shpejtë dhe rikthim të menjëhershëm aty ku e ka vendin. Me të njëjtën kthjellësi dhe guxim që nuk e braktisën as në shtratin e spitalit.
DITA
Operacioni dhe shtrimi në QSUNT
Fatos Tarifa është shtruar dhe operuar në QSUNT. Aty ka padyshim edhe profesionistë shumë të zotë, por fjalën e kam për një kontrast të heshtur, therës, që nxjerr në pah fytyrën e vërtetë të shoqërisë sonë.
Lufta me sëmundjen dhe trashëgimia e redaksisë
Teksa mendoj betejën shëndetësore të Fatosit, kujtoj me dhimbje sa shumë humbje të rënda ka pësuar kjo redaksi ndër vite: mendje fisnike si Moikomi, Andrea Stefani, Arben Duka dhe të tjerë, bashkëpunëtorë e njerëz të mirë që lanë pas gjurmë shpirti të papërkulur.
Burimi: gazetadita.al










