Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, ka shprehur gëzim të madh pas fitores, sepse skuadra arriti objektivin e saj. Pas ndeshjes ai tha se do të kishte dashur shumë të festonte me tifozët, por këtë do ta bëjë më pas. Ai thotë se ky është vetëm fillimi, ndërsa mendimet e tij tani shkojnë te shorti i Evropianit, që do të hidhet më 6 dhjetor.
Falënderimet për lojtarët dhe punën e bërë
“Falënderimi i shkon skuadrës, sepse lojtarët kanë dhënë gjithçka në fushë. Kemi punuar shumë dhe ka pasur gjithmonë rritje të skuadrës, duke qenë të vetëdijshëm për atë që donim të bënim. Mendoj se kemi arritur disa shifra të pazakonta, duke thyer edhe rekorde të së shkuarës. Kemi krijuar një lidhje me tifozët tanë, dhe kjo i jep edhe më shumë rëndësi asaj që kemi bërë. Falënderoj dhe jam i kënaqur për besimin dhe zgjedhjen që ka bërë FSHF për të marrë Kombëtaren. Arritëm edhe objektivin që ishte ta mbyllnim të parët në grup.
Besoj se filozofia dhe idetë tona janë arritur tashmë në maksimum. Kam parë në fushë një skuadër që ka zbritur me idetë e implementuara. Ne e meritonim dhe duhej ta fitonim këtë ndeshje për vendin e parë. Pa sakrifica dhe mentalitetin e duhur nuk do të arrihej. Përgëzimet i kam bërë lojtarëve, sepse përveç fitores kanë bërë krenarë edhe tifozët. Besoj se ky sezon ka qenë i mrekullueshëm, por është vetëm objektivi ynë i parë, sepse duhet të rritemi më tepër.
Tifozët nuk mund të ishin të pranishëm në stadium, por, sipas tij, nëse do të kishin mundësi do ta mbushnin atë. “Do doja shumë ta ndaja me ta këtë fitore”, theksoi ai.
Shorti dhe festa
“Shorti për Evropianin? Një rezultat i mirë të ndihmon shumë për një grup më të favorshëm. Mbetet për t’u parë shorti, por ne arritëm objektivin që kishim. Tani duhet të festojmë pak, sepse duhet festuar për çdo arritje. Jam shumë i lumtur brenda vetes. Festohet, sepse më pas të ndihmon të arrish gjëra të tjera.”
Sistemi i lojës
“Moduli 3-4-2-1? Unë në fakt nuk u kam kushtuar asnjëherë rëndësi modulit ose numrave se si rreshtohen, sepse mundohem t’i vendos lojtarët në kushtet më të mira, që ata të japin më të mirën. Kur kam përdorur skema specifike, ka ndodhur kur kam qëndruar shumë vite në një skuadër dhe kemi ndërtuar diçka. Por në Kombëtare kam mundësi të zgjedh lojtarët në varësi të formës aktuale. Skemat, numrat dhe modulet janë dytësore, sepse e rëndësishme është koncepti i lojës. Këto i kemi arritur, edhe pse nuk ka qenë e lehtë.”
Burimi: shqiptarja.com










