TEL AVIV, 22 nëntor /ATSH-AFP/ – Partitë e Benjamin Netanyahut dhe rivalit të tij Gadi Eisenkot, të ngarkuar me formimin e qeverisë së ardhshme izraelite, po zhvillojnë sot bisedime të reja për një koalicion të mundshëm.
Partia “Likud” e kryeministrit në largim po e kushtëzon këtë nga vazhdimi i prioriteteve të saj kryesore të politikave.
Takimi në Herzliya
Delegacionet nga partia e qendrës “Yashar” e Eisenkotit dhe “Likud” po takohen në një hotel në Herzliya, pranë Tel Avivit, sipas kanalit privat 14, pas takimit të tyre të parë të së dielës së kaluar.
Një ish-shef i shtabit të ushtrisë, Eisenkot ka afat deri më 6 dhjetor – një afat që mund të zgjatet me 14 ditë – për të formuar një qeveri, pasi zgjedhjet e tetorit nuk arritën të prodhonin një shumicë absolute për asnjërën palë.
Me 48 vende në Knesset – ku një shumicë absolute kërkon 61 – blloku i tij mbetet i ndarë në strategjinë që duhet të miratojë për formimin e një koalicioni.
Opsionet ndryshojnë, nga një aleancë me partitë ultraortodokse te një afrim me partitë arabe ose formimi i një qeverie uniteti kombëtar me “Likud”-in.
Kushtet e “Likud”-it
Të shtunën, “Yashar” e paraqiti mbajtjen e bisedimeve si “një angazhim të vërtetë për formimin e qeverisë më të gjerë të mundshme”, duke specifikuar se Gadi Eisenkot u kishte kërkuar përfaqësuesve të tij të shqyrtonin të gjitha rrugët.
Por, “Likud” më pas vendosi disa kushte për pjesëmarrjen e tij në një qeveri uniteti, një formulë e promovuar nga Netanyahu, i cili po lufton për mbijetesën e tij politike.
“Likud” po kërkon, në veçanti, t’i japë fund “të gjitha sulmeve personale dhe nxitjes së urrejtjes” që synojnë, sipas tyre, kryeministrin në largim dhe qeverinë e tij, si dhe një angazhim për të formuar një koalicion që bashkon “të gjitha partitë që mbështesin ekzistencën e shtetit të Izraelit si një shtet kombëtar i popullit hebre” pa pjesëmarrjen e partive arabe./ a.jor.
Burimi: ata.gov.al









