Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka cilësuar „të turpshëm” dhe „të papranueshëm” aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë, me të cilin ish-presidenti Hashim Thaçi u dënua me 17 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë.
Reagimi i Çitakut
Në një postim në Facebook, Çitaku shprehu zhgënjim dhe shqetësim për vendimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, duke vënë në pikëpyetje administrimin e drejtësisë nga kjo gjykatë.
„Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj gjykate”, shkroi ajo.
Paralajmërimi për përgjigje
Çitaku paralajmëroi veprime politike, juridike dhe diplomatike në përgjigje të vendimit.
„Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton: me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar”, tha ajo, duke përsëritur mbështetjen për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Burimi: euronews.al










