Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Bejko: PD ka kandidatë, por jo alternativë bindëse

Bejko: PD ka kandidatë, por jo alternativë bindëse
Foto: abcnews.al

TIRANË- Analisti i njohur, Roland Bejko, i ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, komentoi zhvillimet në Partinë Demokratike dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore, duke u ndalur te roli i Sali Berishës dhe vështirësitë e opozitës për të krijuar një alternativë fituese në Tiranë.

Roli i Berishës dhe afatet zgjedhore

Sipas Bejkos, vendimi i Berishës për të kërkuar emrat e kandidatëve dhe jo mobilizimin e demokratëve në protesta lidhet me faktin se ai ka arritur të marrë kontrollin e sheshit, ndërsa afatet për përgatitjen e zgjedhjeve vendore po afrohen.

Analisti vlerësoi se problemi kryesor i opozitës nuk është mungesa e kandidaturave, por lidershipi aktual i Partisë Demokratike.

“Partia Demokratike ka kandidatë, ka kandidatë shumë të mirë. Po sapo ata i afrohen Berishës, ata e kompromentojnë fytyrën e tyre”, u shpreh Bejko.

Pengesa për koalicionin opozitar

Ai theksoi se figura e Berishës përbën pengesë për krijimin e një koalicioni të gjerë opozitar, pasi partitë e vogla rrezikojnë të humbasin identitetin dhe kauzën e tyre politike nëse bashkohen me të.

“Berisha nuk është zgjidhja në këtë rast, Berisha është vetë problemi”, deklaroi analisti, duke shtuar se ish-kryeministri e ka përfunduar ciklin e tij politik dhe vijon të mbajë peng opozitën.

Alternativa e tretë politike

Bejko u ndal edhe te mundësia e krijimit të një alternative të tretë politike, duke theksuar se një pjesë e elektoratit kërkon një forcë të re, përtej dy partive kryesore.

“Elektorati shqiptar pret një formacion, një alternativë të tretë. Është i dëshiruar që të ketë një alternativë, të gjejë një kuti serioze për të hedhur votën e tij përtej Berishës dhe Ramës”, përfundoi Bejko./abcnews.al

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha