Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Bardhi i përgjigjet Peleshit: Dhuna shtetërore s’maskohet si incident

Bardhi i përgjigjet Peleshit: Dhuna shtetërore s’maskohet si incident
Foto: euronews.al

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, lidhur me plagosjen e deputetit Kliti Hoti gjatë protestës në Tiranë.

Reagimi ndaj Peleshit

Bardhi e ka cilësuar reagimin e Peleshit të papërgjegjshëm, duke e akuzuar atë se po përpiqet të relativizojë rëndësinë e ngjarjes dhe të shmangë përgjegjësinë institucionale.

Sipas Bardhit, deputeti Hoti nuk ka qenë pjesë e asnjë incidenti, por është goditur pa shkak nga Policia e Shtetit, në rrethana që, sipas tij, ngrenë dyshime serioze për një akt të qëllimshëm dhune.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e përgjegjësve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë.

Reagimi i Bardhit vjen pasi kryetari i Kuvendit kërkoi nga organet kompetente një hetim të shpejtë, të paanshëm dhe transparent për „rrethanat e lëndimit të deputetit Hoti”.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit

„Neveri dhe indinjatë për reagimin e papërgjegjshëm të kryetarit të Kuvendit ndaj plagosjes së deputetit Kliti Hoti nga Policia e Shtetit!

Së pari, deputeti Kliti Hoti nuk ka qenë pjesë e ndonjë incidenti. Ai është goditur pa asnjë shkak nga Policia e Shtetit, në rrethana që ngrenë dyshime serioze për një akt të qëllimshëm dhune, me pasoja potencialisht fatale. Ta quash këtë një incident është përpjekje për të relativizuar rëndësinë e ngjarjes dhe për të shmangur përgjegjësinë. Kjo nuk është një ngjarje e zakonshme dhe nuk mund të trajtohet si e tillë.

Së dyti, është e papranueshme që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në vend që të kërkojë transparencë dhe përgjegjësi për veprimet e Policisë së Shtetit, të vërë në diskutim vetë shkeljen e ligjit, duke e paraqitur atë si një çështje opsionale apo si një interpretim që mund të relativizohet.

Ligji nuk është çështje dëshire. Përballë dhunës policore, detyrimi i çdo institucioni është të kërkojë zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e përgjegjësve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë.

Kuvendi nuk mund të jetë strehë për justifikimin e dhunës shtetërore. Heshtja, relativizimi dhe shmangia e përgjegjësisë institucionale janë po aq të papranueshme sa vetë aktet që kërkojnë hetim.

Përgjegjësia nuk relativizohet. Dhe dhuna e ushtruar nga shteti nuk mund të maskohet pas fjalës ‘incident’.”

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha